Vjedhja e 2.1 milionë eurove, ende pa vendim që Guardia di Finanza ta auditojë Thesarin e Shtetit

Aktuale

Vjedhja e 2.1 milionë eurove, ende pa vendim që Guardia di Finanza ta auditojë Thesarin e Shtetit

Më: 15 janar 2021 Në ora: 21:37
Kadri Shala

Është një nga agjencitë më të famshme të luftimit të krimeve financiare e kontrabandës. Andaj, në shumë shtete të botës, në raste të komplikuara të krimeve ekonomike, thirret në ndihmë Guardia di Finanza italiane.

Asistencë nga ky trup është kërkuar edhe në Kosovë. Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në nëntor të vitit të kaluar kërkoi që Guardia di Finanza ta auditojë Thesarin e shtetit nga i cili u vodhën kundërligjshëm 2.1 milionë euro.

Këtë e adresoi përmes ambasadorit italian e zyrës së BE-së në Prishtinë.

Megjithatë, nga Komanda e Përgjithshme e Guardia di Finanza-s në Itali, thanë për Klan Kosovën se ende nuk është marrë ndonjë vendim zyrtar për këtë çështje.

”Ju informojmë se kërkesa për ndihmë është bërë nga Ministrja e Financave drejtpërdrejt tek Ambasadori Italian në Kosovë. Prandaj, aktualisht, ne jemi në pritje të vendimeve qeveritare që do të ndërmerren në këtë drejtim”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Guardia di Finanza.

Kurse nga Komisioni Evropian thanë se nuk e komentojnë rastin, veçse janë gjithnjë në krahë institucioneve kosovare për ta luftuar krimin e organizuar e korrupsionin.

E në qeverinë kosovare nuk pranojnë të pyeten për procesin e hetimeve, pasi thonë se me këtë merret vetëm Prokuroria Speciale. Mirëpo as nuk tregojnë se kur pritet të auditohet Thesari nga profesionistët italianë.

Deri tash, për vjedhjen e 2.1 milionë eurove të shtetit janë në paraburgim ish-zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda, dhe njëri nga pronarët e kompanisë ”LDA Group” ku u transferuan paratë, Kadri Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat