Rrahman Paçarizi: Garë jo krejt korrekte nëse në të nuk do të jetë Albin Kurti

Aktuale

Rrahman Paçarizi: Garë jo krejt korrekte nëse në të nuk do të jetë Albin Kurti

Më: 20 janar 2021 Në ora: 22:17
Rrahman Paçarizi

Gara nuk do të jetë korrekte nëse Albin Kurti që i prin listës së Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e saj.

Kështu ka thënë analisti politik, Rrahman Paçarizi, derisa e ka komentuar vlerësimin e KGJK-së që 47 kandidatë për deputetë nuk duhet të jenë pjesë e listës garuese për shkak që ndaj tyre janë marrë aktgjykime dënuese të formës së prerë gjatë tri vjetëve të fundit.

“Është hera e parë që aplikohet ky lloj sanksioni dhe sigurisht që duket një numër shumë i madh. Meqë është hera e parë ka qenë e pritshme, përndryshe partitë politike me siguri se do të ishin treguar më të kujdesshme, por edhe vetë kandidatët do të ishin treguar më të kujdesshëm. Partitë politike duhet ta respektojnë cilindo vendim të KQZ-së, sepse rrjedh nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, por mendoj se kjo çështje është paksa problematike”.

“Albin Kurti është i dënuar për një veprim i cili ka dalë nga veprimi politik i tij. E përmenda Albin Kurtin si përfaqësues i atij grupi të disa njerëzve që janë të dënuar për të njëjtën arsye. Veprat nuk mund t’i klasifikojmë sipas ndonjë kriteri etik, apo moral, por unë e shoh një garë jo krejt korrekte nëse në të nuk do të jetë ta zëmë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje”.

Paçarizi, në Rubikon, ka thënë se moskandidimi i mundshëm i Albin Kurtit, që i prin listës së Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do ta dëmtojë partinë e tij.

“Kjo nuk do ta dëmtojë Lëvizjen Vetëvendosje e cila ka mundësi që të mobilizohet edhe më shumë. Unë si qytetar i Kosovës do të doja që ta shihja Albin Kurtin si kandidat, raportin e një liste kaq heterogjene, pra raportin e krejt këtij kompozicioni në raport me vetë Kurtin. Sigurisht që më vjen keq se në listën e Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të jenë figura si Albulena Haxhiu dhe Liburn Aliu të cilat kanë qenë emblematike për këtë parti”.

Ai ka deklaruar se edhe partitë e tjera përballen me problemet e njëjta, por jo në këtë dimension.

“Po kaq pandershëm është dëmtuar edhe PDK-ja e cila garon pa kryetarin e saj Kadri Veseli, derisa këtë herë garon edhe pa atë që ka pasë një rol mbështetës në prapaskenë – Hashim Thaçi. Janë zgjedhje me shumë mungesa dhe probleme të cilat e debalancojnë garën që jemi mësuar ta shohim në Kosovë”.

Paçarizi është shprehur i bindur se Lëvizja Vetëvendosje do ta respektojë një vendim të tillë, por të njëjtin do ta shfrytëzojë për fushatë.

“Kjo është karta më e fortë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje tash. Unë jam i bindur 100 përqind që do ta respektojnë vendimin, por do ta shfrytëzojnë maksimalisht për mobilizim për fushatë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat