KQZ nuk certifikoi Vetëvendosjen, Nismën dhe AAK-në, ja çka shkruan VOA

Aktuale

KQZ nuk certifikoi Vetëvendosjen, Nismën dhe AAK-në, ja çka shkruan VOA

Më: 22 janar 2021 Në ora: 23:26
KQZ

Pas gati pesë orësh diskutimesh të ashpra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, votoi kundër certifikimit të listave të kandidatëve për deputetë të lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, ndërsa miratoi listat zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës si dhe disa partive më të vogla.

I menjëhershëm ka qenë kundërshtimi i partive të pacertifikuara, përfaqësues të të cilave thanë se vendimi i sotëm është absurd dhe i qëllimshëm.

“Lista e Vetëvendosjes nuk u certifikua dhe kjo ka qenë thelbi i krejt kësaj. Ky është absurdi me të cilin ka filluar fushata politike ndaj kandidatëve të lëvizjes Vetëvendosje”, tha Sami Kurteshi nga kjo lëvizje.

“Vendimi për certifikim të kandidatëve sonte ishte politik dhe tendencioz ndaj subjektit Nisma. Nuk është përgjegjësi e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shqetësohen për përmbajtjen e listës së zgjedhjeve të asnjë subjekti politik, është e drejtë e tyre të votojnë në bazë të rekomandimeve të zyrës së certifikimit të cilat nuk u përfillën”, tha Eshref Vishi nga Nisma Socialdemokrate e Kosovës.

“Ata që nuk janë përfshirë sot besoj se do t’i kalojnë filtrat e nevojshme dhe do të jenë pjesë e garës” tha Ibrahim Selmanaj nga AAK.

Të tri këto parti paralajmëruan se do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda 24 orësh.

Procesi i certifikimit të subjekteve dhe kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit u ndërlikua pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së qeverisë në largim. Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm votimin, meqë votë vendimtare për krijimin e qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti ishte vota e një deputeti të dënuar paraprakisht nga gjykata për kryerjen e një vepre penale.

Në këtë aktgjykim thuhet se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, sikurse parashihet me kushtetutë apo ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse ka një vendim dënues që është në fuqi në Kosovë.

Drejtori i zyrës për regjistrim dhe certifikim, Yll Buleshkaj, rekomandoi gjatë ditës miratimin e listave zgjedhore ashtu siç janë, duke ua lënë në dorë organeve më të larta të drejtësisë pastaj të merren me ankesa për kandidatë të mundshëm veç e veç.

“Për shpjegim kemi kërkuar shkresa nga institucione të ndryshme për të na ndihmuar në vendimmarrje, disa na kanë ndihmuar e disa na kanë bërë konfuz. Ajo që vlen të theksohet është që zyra nuk ka arritur të zbatojë plotësisht me vendim pikën Q të nenit 29 (të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme) për arsye të interpretimeve të ndryshme. Për atë arsye, zyra rekomandon që ta certifikoni listën siç është e për palët e interesuara nëse ka ankesë mund ta bëjnë në institucioneve tjera për largimin e kandidatëve”, tha gjatë ditës drejtori i zyrës për regjistrim dhe certifikim, Yll Buleshkaj.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës, përfaqësues të të cilave thanë se miratimi i listave ku janë përfshirë 47 kandidatë për deputetë nga 15 parti të cilët kanë probleme me ligjin në tri vitet e fundit, është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Të enjten Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka gjetur se 47 kandidatë nga 1 mijë e 80 sa janë në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim të përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit dhe nuk kanë mundësi të kandidojnë.

Debatet rreth kandidaturave janë përqendruar kryesisht tek kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti, që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

Njohësit e drejtësisë në vend kanë qëndrime të ndara lidhur me këtë situatë. Disa thonë se gjykata nuk ka lënë hapësirë për interpretim tjetër përveç asaj që çdo person i dënuar gjatë tri viteve të fundit nuk mund të marr pjesë në zgjedhje si deputet. Por të tjerë vlerësojnë se e drejta e personave për të kandiduar për deputetë nuk është çështje kushtetuese, por ligjore, duke rekomanduar që verifikimi i kandidatëve të bëhet përmes ligjeve dhe Kodit Penal që tregojnë edhe shkallën e veprave penale./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat