Kryeziu i LVV: Përpjekje e sistemit të vjetër për të ndalur fitoren tonë, Supremja do të na japë të drejtë

Aktuale

Kryeziu i LVV: Përpjekje e sistemit të vjetër për të ndalur fitoren tonë, Supremja do të na japë të drejtë

Më: 27 janar 2021 Në ora: 20:19
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Përparim Kryeziu

Vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, që ndalojnë kandidimin për deputet të 47 personave në Kosovë, ka shkaktuar tërmet tek nëntë subjekte politike. Ato refuzuan të zëvendësojnë me kohë kandidatët dhe tani sipas vendimit, nuk kanë të drejtë ta bëjnë.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Përparim Kryeziu tha për Euronews Albania se vendimi i PZAP është absurd dhe i mbështetur mbi një interpretim të gabuar të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, kjo është vetëm një përpjekje e sistemit vjetër politik, që do të rrëzohet në 14 shkurt, për të ndalur fitoren me shumicë të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes në zgjedhjet e ardhshme.

Kryeziu konfirmoi faktin se Lëvizja Vetëvendosja ka dorëzuar ankesën në Gjykatën Supreme, që është shkalla e dytë e ankimit dhe presin që ajo të konfirmojë pretendimin e tyre duke u dhënë të drejtë.

“E para se kjo është çështje ligjore, jo kushtetuese, për të cilat ne kemi argumente bindëse dhe së dyti se ka një vendim të Gjykatës Supreme në 2017 që thotë se një kandidati s’mund t’i mohohet e drejta për të kandiduar për sa kohë nuk ka një vendim plotësues të gjykatës që ja mohon këtë të drejtë. Dhe nuk është ky rasti për Vetëvendosjen.

Gjykata Supreme ka një detyrë të lehtë dhe përgjegjësi shumë të madhe”, u shpreh Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat