Apeli merr vendim për personin që bënte thirrje për djegien e Presidencës dhe Kushtetueses

Aktuale

Apeli merr vendim për personin që bënte thirrje për djegien e Presidencës dhe Kushtetueses

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 10:03
Apeli merr vendim për personin që bënte thirrje për djegien e Presidencës dhe Kushtetueses

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej një viti burgim me kusht ndaj G.M., për veprën penale të shtytjes në kryerjen e veprave terroriste.

Ai akuzohej se duke përdorur profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, përmes një postimi kishte bërë thirrje për djegien e zyrës së ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë vepër penale, Gjykata Themelore në Prishtinë, në tetor të vitit të kaluar, e kishte dënuar G.M me një vit burgim me kusht, me periudhë të verifikimit prej dy viteve.

Ndaj vendimit të nxjerrë në shkallë të parë, brenda afatit ligjor, kishte ushtruar ankesë mbrojtësi i të akuzuarit G.M, avokati Mahmut Halimi.

Ndërsa, Prokuroria e Apelit përmes një shkrese kishte kërkuar nga Apeli që ta refuzonte ankesën e mbrojtjes dhe të vërtetonte aktgjykimin e ankimuar.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të nxjerrë më 24 dhjetor 2020, rezulton se Apeli kishte analizuar pretendimet ankimore të mbrojtjes dhe kishte gjetur se të njëjtat janë të pabazuara, duke arsyetuar se dënimi i shqiptuar ishte në proporcion me peshën e veprës penale dhe qëllimin e dënimit.

“Gjykata e Apelit, pasi analizoi pretendimet ankimore e mbrojtjes së të akuzuarit Gëzim Murati, avokat Mahmut Halimi gjeti se të njëjta janë të pabazuara pasi që për të gjitha këto rrethanat e cekura si në pretendimet ankimore gjykata e shkallës së parë i pati parasysh gjatë matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit dhe se i njëjti dënim është në  proporcion me peshën e veprës penale dhe qëllimin e dënimit”, thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli ka gjetur se gjykata e shkallës së parë, me rastin e caktimit të dënimit, kishte vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit.

“Gjykata e Apelit  gjen se, gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e ankimuar , me rastin e caktimit të dënimit vlerësoi të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit,  si  rrethanë  lehtësuese për të akuzuarat pati parasysh shkallen e përgjegjësisë penale, ku i akuzuari  edhe nga raporti i Institutit të Forenzikes Psikiatrike  është konsideruar me përgjegjësi esencialisht të zvogëluar e që nënkupton  së përgjegjësia e tij penale e një niveli shumë  më të ulët sesa e një kryes i cili është plotësisht përgjegjës”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në fund të këtij vendimi, thuhet se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit G.M do të ndikojë në risocializimin dhe riedukimin e kryerësit të veprës penale dhe në parandalimin e personave të tjerë nga kryerja e veprës penale.

Ndryshe, ky rast fillimisht kishte shkuar në trajtim në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, mirëpo gjyqtari Bekim Veliqi, të cilit i ishte ndarë kjo lëndë, me vendimin e 7 korrikut 2020, e kishte shpallur këtë gjykatë jo kompetente, me arsyetimin se sipas nenit 18 të Ligjit për Gjykata, kompetent për t’i gjykuar lëndët që bien në kompetencë të PSRK-së, është Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 22 qershor 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj G.M., duke pretenduar se i akuzuari më 29 maj 2020, rreth orës 11:00, në Mitrovicë, me qëllim të organizimit për kryerjen e veprës terroriste, përmes rrjetit social “Facebook”, ka publikuar komentin e tij “Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan”, dhe ky koment është shpërndarë nëpër mediat elektronike në faqen e internetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat