U tha se bëri kalkulime politike, vjen reagimi nga Specialja për shtyrjen e seancës ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

U tha se bëri kalkulime politike, vjen reagimi nga Specialja për shtyrjen e seancës ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 13:56
Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur që të shtyjë seancën dëgjimore të planifikuar për nesër ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për datën 16 shkurt.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Specialja për shtyrjen e kësaj seance, kjo ka ndodhur për arsye organizative që sipas tyre lidhen edhe me mundësinë e prezencës së palës mbrojtëse në seancë.

Por, menjëherë pas këtij vendimi, Adil Behramaj ish-këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tashmë i akuzuar nga Gjykata Speciale tha se vendimi për shtyrje të seancës është kalkulim politik dhe është bërë me pretendimet se prezenca mediale e Thaçit dhe Veselit mund t’i ndikojë votuesit në Kosovë.

“Që nga njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dorëzimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, një praktikë e paprecedent në drejtësinë ndërkombëtare, deri në vendimin e tashëm për shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjykatës Speciale, nga 11 shkurti në 16 shkurt, duket se nuk ka asnjë rastësi në sjelljen e kësaj gjykate me themeluesit e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit të Kosovës. Me publikimin e njoftimit për ngritjen e aktakuzës ende pa u konfirmuar, Gjykata Speciale bëri gjeopolitikë. Me shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjyqtarit të Procedurës, sepse jemi në prag të ditës së zgjedhjeve, Gjykata Speciale bëri kalkulim politik. Po i frikësohen paraqitjes së Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe në Dhomat Speciale në Hagë. Po druhen që prezenca mediale njëditore e tyre ndikon te votuesit dhe ua prishë atyre skenarin politik, që po mundohen ta jetësojnë në emër të drejtësisë. Kjo është dëshmi tjetër që largimi i tyre nga skena politike në emër të drejtësisë ishte dhe mbetet tërësisht i sinkronizuar. Megjithatë, të drejtën e votimit nuk ua kanë mohuar dhe votat e tyre kanë arritur nga Haga në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Hashim Thaçi e Kadri Veseli dihet kënd e kanë votuar dhe dihet se kënd do të dëshironin që ta votonit edhe ju.”, tha Behramaj nëpërmjet një postimi në Facebook.

Media ka kërkuar përgjigje qartësuese nga Gjykata Speciale lidhur me shtyrjen e seancës dhe nëse ky vendim mund të ketë lidhje me zgjedhjet parlamentare në Kosovë që do të mbahen me 14 shkurt.

Nga zyra përgjegjëse për organizimin e seancave pranë Gjykatës Speciale kanë thënë se seanca është shtyrë për arsye organizative pas konsultimit me palët.

“Gjyqtari i procedurës paraprake vendosi të ri-caktojë seancën për arsye organizative, pas konsultimit me palët.”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Gjithashtu sot, Gjykata Speciale ka marrë vendim t’ia refuzojë kërkesën për lirim nga paraburgimi ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Javë më parë, Specialja ka refuzuar edhe kërkesën për lirim me kusht të mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat