Heshtja zgjedhore në Kosovë, ja çfarë nuk guxojnë të bëjnë partitë

Aktuale

Heshtja zgjedhore në Kosovë, ja çfarë nuk guxojnë të bëjnë partitë

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, teksa numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për deputetë është: 1 mijë e 032.

E dje ishte dita e fundit deri kur partitë politike do të mund të bënin fushatë. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, Neni 36., 24 orë para hapjes së Qendrave të Votimit ndalohet çdo veprim i subjekte politike që mund të ndikojë tek votuesit.

“1 Njëzetekatër (24) orë para hapjes së Qendrave të Votimit për hedhjen e votës, e deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike, mbështetësve ose kandidatëve të tyre u ndalohet secili prej veprimeve si më poshtë: a) shpërndarja ose shfaqja në mënyrë tjetër në ndonjërën nga Qendrat e Votimit, ose 100 metra brenda hapësirës së të njëjtës, e çfarëdo lloj materiali me qëllim ndikimi tek votuesit; b) bërja e fushatës në çfarëdo mënyre”, thuhet në Nenin 36, tëLigjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

Poashtu në të njëjtin Ligj specifikohet se edhe mediat ndalohet të publikojnë çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës, 24 orë para hapjes së vendvotimeve.

“1 Asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës gjatë periudhës që fillon njëzetekatër (24) orë para hapjes së vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve. 52.2 Në Kosovë nuk bëhet asnjë publikim ose transmetim i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime, gjatë periudhës që fillon 24 orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor”, thuhet tutje në Nenin 52, të po këtij Ligji.

Në ndërkohë sipas Nenit 38., të po këtij Ligji, konsiderohet shkelje administrative dhe e dënueshme me gjobë nga Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP).

 “38.1 Shkelja e njërit nga këto nene të Kodit të Sjelljes të paraqitur në këtë Kapitull, në rastet kur këto shkelje nuk kanë ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve, konsiderohet shkelje administrative dhe e dënueshme me gjobë sikurse është përcaktuar nga KZAP-i. 38.2 Shuma e gjobës përcaktohet në bazë të nenit 146 të këtij ligji. 38.3 Shkeljet e Kodit të Sjelljes të përcaktuara nga KZAP-i të cilat kanë tentuar të ndikojnë rezultatet e zgjedhjeve paraqesin vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës”, thuhet tutje në Ligj.

Sikurse edhe në proceset e kaluara zgjedhore, procesi i votimit do të monitorohet dhe vëzhgohet nga mediat organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe Bashkimin Evropian si dhe nga ambasadat edhe  vendeve të ndryshme në Kosovë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës do të kujdeset për mbarëvajtjen procesit si dhe transportimin e materialit zgjedhor.

Ndërsa me qellim të ruajtjes së integritetit së këtij procesi, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka caktuar 88 prokurorë të cilët do të jenë të angazhuar ditën e zgjedhjeve në nivel vendi. Ai  ka paralajmëruar se do të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë aktive dhe pa vonesë ndaj atyre që bien ndesh me dispozitat e Kodit Penal, lidhur me veprat penale kundër të drejtës së votimit dhe të gjitha format e tjera të krimit që ndërlidhen me procesin zgjedhor.

Qytetarët me të drejtë vote mund të votojnë në 38 komuna që nga ora 07:00 e mëngjesit deri në ora 19:00 të mbrëmjes, në 888 qendra të votimit.

Zgjedhjet e 14 shkurtit  u shpallën pasi Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi në rastin e deputetit Etem Arfifi, e shpalli të pavlefshëm votën e tij në rastin e votimit të Qeverisë “Hoti”. Kështu kjo Qeveri u rrëzua dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit shpalli zgjedhjet e reja.

Këto do të jenë zgjedhjet e nënta parlamentare që nga paslufta në Kosovë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat