​Osmani: Prekazi, ikonë e pavarësisë së Kosovës që i përkujton botës gjenocidin serb

Aktuale

​Osmani: Prekazi, ikonë e pavarësisë së Kosovës që i përkujton botës gjenocidin serb

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 11:02
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani bashkë me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, bënë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ata vlerësuan lart jetën dhe veprën e komandantit Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë viktimave të gjenocidit serb në Kosovë.

Osmani tha se kompleksi memorial “Adem Jashari”, ku prehet komandanti Adem Jashari dhe familja e tij, është ikonë e lirisë së Kosovës.

Ajo tha se familja Jashari është simbol i sakrificës më sublime të popullit shqiptar për liri.

Osmani: Prekazi i përkujton botës gjenocidin serb në Kosovë

“Këtu është vendi ku çdo ditë duhet t’ia kujtojmë vetes dhe botës se këtu gjenden dëshmitë e gjenocidit serb, dëshmitë e qëllimit të Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar. Këtu është edhe dëshmia më e mirë e atdhedashurisë, sakrificës për komb dhe për liri. Natyrisht, në këtë përvjetor të pavarësisë së shtetit tonë, përkulemi para veprës dhe heroizmit të komandantit legjendar, të gjithë UÇK-së, të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri dhe para sakrificës të gjitha viktimave civile të popullit tonë, të cilët ranë në mënyrë që ne sot të gëzojmë shtetin tonë të pavarur”, tha ajo.

Ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se Prekazi është vendi i kushtrimit për çlirim, që e dëshmon më së miri sesa i lartë është çmimi i lirisë.

Kurti: Prekazi heroik është vendi i kushtrimit për çlirim

“Prekazi heroik është vendi i kushtrimit për çlirim dhe vendi që na e përkujton sesa i lartë është çmimi i lirisë dhe sesa të privilegjuar jemi ne që jetojmë dhe festojmë 13 vjetorin e pavarësisë që i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Tre brezat e familjes Jashari luftuan dhe u sakrifikuan, gjysma e tyre burra e gjysma gra dhe fëmijë, dhe duke u rikthyer këtu ne e bëjmë më të fuqishëm shtetndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik dhe drejtësinë institucionale sepse i tillë është edhe amaneti i dëshmorëve dhe dëshirat e popullit tonë”, tha Kurti.

Gjatë ditës së sotme, Osmani dhe Kurti homazhe bënë edhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe pranë varrit të veprimtarit Adem Demaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat