Dënim me burgim me kusht dhe me gjobë ndaj ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota

Aktuale

Dënim me burgim me kusht dhe me gjobë ndaj ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 13:46
Sokol Bashota

Pas më shumë se 1 vit e 3 muaj në procesin e rigjykimit ndaj ish-kryetarit të Klinë, Sokol Bashota dhe nënkryetarit të saj Enver Berisha, Gjykata e Pejës-Dega në Klinë ka shpallur aktgjykim dënues ku Sokol Bashota dënohet me 6 muaj burgim me kusht dhe 1200 euro gjobë, ndërsa Enver Berisha dënohet me burgu prej 6 muajve me afat verifikimi prej 1 viti dhe 1200 euro gjobë.

“Gjykata pas mbajtjes  se shqyrtimit kryesor, Sokol Bashota nuk e ka deklaruar pasurinë e paluajtshme sipas ligjit dhe është vetëtuar nga administrimi i provave personale dhe materiale ” tha gjykatësja Sabrije Rraci.

Gjykata nuk ka vendosur rreth propozimin për ndalimin e ushtrimit të funksioneve zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashota akuzohet se prej vitit 2013 deri 2016, nuk kishte deklaruar banesën 79 metra katror në Prishtinë, makinën “BMW X5”.

Kurse i akuzuari Berisha akuzohet se nga vitit 2015 në vazhdimësi gjerë në mars të vitit 2016 nuk kishte deklaruar tokën në zonën kadastrale Dresnik të Komunës së Klinës në sipërfaqe prej 5.500 m2.

Gjykata Themelore në Pejë, më 29 maj 2019, të pandehurin Bashota, e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor për mos deklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.

Edhe ish-nënkryetari i kësaj komune, Enver Berisha, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë.

Ndaj Bashotës dhe Berishës, ishte shpallur aktgjykim refuzues për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi prokurorja e rastit, Sahide Gashi kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Më 6 nëntor 2019 Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë. Gjykata e Apelit ka konsideruar se aktgjykimi i shpallur nga ish- kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj, është marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Në anën tjetër edhe vendimi gjyqësor ndaj të pandehurit Enver Berisha, sipas Apelit është marrë në shkelje të procedurës penale, pasi nuk ka dhënë arsye lidhur me pretendimin e mbrojtjes së të akuzuarit Berisha se nga historiku i paluajtshmërisë kontestuese, ai nuk kishte qenë pronar.

Sipas Apelit, Gjykata e Pejës nuk kishte dhënë përgjigje përkitazi me pretendimin e mbrojtjes së të akuzuarit Bashota, avokatit Gëzim Kollqaku, i cili kishte pretenduar se banesa kontestuese për të cilin klienti i tij akuzohet se nuk e kishte deklaruar, ishte blerë me kontributin familjar.

“Nuk ka dhënë përgjigje në pretendimet ankimore të mbrojtjes se kur është blerë kjo banesë dhe në emër të kujt ka qenë banesa në fjalë në vitin 1999, me cilat mjete dhe nga kush është blerë konkretisht. Ka kundërthënie te kontrata mbi dhuratën pasi në faqen 7 pasuesi i fundit që ka të bëjë me provat e administruara qëndron e dhëna se kontrata mbi dhuratën e banesës është e datës 30 gusht 2016, e që si e tillë është e pakuptim që të ketë numër rendor të vitit 2006, e ndërsa është e vërtetuar në vitin 2016. Kush ka jetuar nga familjarët e të akuzuarit Sokol dhe ku ka jetuar i akuzuari gjatë periudhës me qira”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Ndër të tjera, Apeli ka konstatuar se Gjykata Themelore e Pejës kishte arsyetuar vetëm provën, e cila vërteton pagesën për energji elektrike, ujësjellësin dhe pastrimin, në të cilin kishte qenë i pandehuri Bashota konsumator, mirëpo sipas Apelit, nuk janë dhënë arsyet lidhur me vërtetimin e pronësisë në raport me deklarimet e prejardhjes së pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Kurse, Apeli në lidhje me mos deklarimin e veturës të tipit “BMË”, thekson se raporti i policisë, në të cilin ishte bazuar Gjykata e Pejës se Bashota ishte pronar faktik, e jo juridik i saj, nuk është provë e mjaftueshme që të vërtetojë se ai ishte pronar i veturës.

“Në rigjykim gjykata po ashtu rreth kësaj veture të ftoj si dëshmitar pronarin juridik  të kësaj veture dhe blerësin e mëvonshëm të saj që të sqarohet roli dhe veprimet konkrete të akuzuarit në raport me “BMË, pasi që vetëm raporti informues i policisë nuk është i mjaftueshëm që të vërtetohet pronësia e veturës pa prova tjera që duhen analizuar dhe arsyetuar”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Në anën tjetër edhe vendimi gjyqësor ndaj të pandehurit Enver Berisha, sipas Apelit është marrë në shkelje të procedurës penale, pasi nuk ka dhënë arsye lidhur me pretendimin e mbrojtjes së të akuzuarit Berisha se nga historiku i paluajtshmërisë kontestuese, ai nuk kishte qenë pronar.

Ndryshe, rasti i ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit të Klinës, Enver Berisha, për mosdeklarim të pasurisë, tani po gjykohet në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Një vendim i tillë është marrë nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Pejë, Ahmet Rexhaj, përafërsisht 10 muaj pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Pejë-Departamenti i Përgjithshëm nuk ka kompetencë territoriale për të vendosur ndaj të pandehurve Sokol Bashota dhe Enver Berisha, pasi vepra penale për të cilën të pandehurit akuzohen është kryer brenda territorit të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Sipas Gjykatës së Pejës, e njëjta nuk është kompetente për të vepruar për këtë rast penal, pasi kompetenca territoriale në parim i takon Gjykatës Themelore brenda territorit të së cilës është kryer ose është tentuar të kryhet vepra penale, ose brenda territorit ku është shkaktuar pasoja.

Sipas Gjykatës së Pejës, vepra penale për të cilën akuzohen të pandehurit Bashota dhe Berisha është kryer brenda territorit të Gjykatës Themelore, dega në Klinë. Prokuroria e ngarkon ish-kryetarin e Klinës, Sokol Bashota, dhe ish nënkryetarin e Klinës Enver Berishën, për veprën penale “mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Prokuroria i akuzon të pandehurit se në periudhën janar 2009 deri në qershor 2016, nuk kanë përfshirë të dhënat ose informacionet, kur kanë paraqitur deklarimet e tyre pasurore në Agjencinë Kundër Korrupsionit. /BetimipërDrejtësi/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat