​Zemaj thotë se po angazhohen për sigurimin e vaksinave ani-COVID, nuk tregon se kur arrijnë

Aktuale

​Zemaj thotë se po angazhohen për sigurimin e vaksinave ani-COVID, nuk tregon se kur arrijnë

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 14:26
Pamje nga takimi

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi se situata me pandeminë është nën kontroll dhe nuk ka tendenca për ndonjë alarm.

Ai në takimin e komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me COVID-19, tha se ka rënie të rasteve pozitive dy javët e fundit dhe rënie të numrit të rasteve që përfundojnë me fatalitet.

Zemaj tha se janë të angazhuar për sigurimin e vaksinës anti-Covid, ndonëse nuk dha ndonjë datë se kur pritet vaksinat të arrijnë në Kosovë.

Zemaj: Situata epidemiologjike tregon ulje simbolike të rasteve dy javët e fundit

"Në dy javët e fundit me 7.02.2021 deri me 20.02.2021 janë raportuar 4 mijë e 122 raste pozitive, 49 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa pozitiviteti është 1.18 përqind. Deri më tani janë regjistruar 1 mijë 572 vdekje me një shkallë prej 2.3 përqind. Situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë tregon ulje simbolike të rasteve dy javët e fundit për 1.16 përqind, por me shenja iniciale të mundësisë së fillimit të rritjes së rasteve pozitive në këtë javë. Kemi ulje të rasteve të vdekjeve të raportuara nga SHSKUK dhe nga spitalet COVID për 36.7 përqind", tha ai.

Zemaj tha se janë meshkujt ata që janë prekur më shumë me COVID-19 në Kosovë, pasi janë 51 përqind meshkuj të prekur me COVID dhe femra 49 përqind.

Duke u bazuar në situatën epidemiologjike, Zemaj tha se duhet të vazhdohen masat rigoroze të përkufizimit të lëvizjes dhe aktiviteteve sipas sëmundshmërisë nëpër komuna duke i klasifikuar sipas tri ngjyrave. Ai ka ftuar AUV-in që të vazhdojnë kontrollin rigoroz të respektimin e masave anti-COVID, ku tha se ka një humbje të vëmendjes në këtë mbikëqyrje.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, shtoi se vazhdojnë të jenë të angazhuar për sigurimin e vaksinës anti-COVID në sasi të mjaftueshme për 75 përqind të popullatës.

Zemaj: Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës COVID-19

“Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës COVID-19 në sasi të mjaftueshme për 75 përqind të popullatës sonë. Pres që sipas planit për vaksinim anti-COVID të hartuar nga Instituti të zbatohen nga të gjithë nivelet e përkujdesjeve shëndetësore duke filluar nga ajo primare. Puna jonë është transparente, e përqendruar dhe e pandalshme”, tha ai.

Se ka rënie të numrit të rasteve pozitive me COVID-19, e tha edhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, i cili shtoi se ka rënie edhe të numrit të rasteve të vdekjeve dhe se nuk ka shpërthim të infektueshmërisë javëve të fundit.

Ramadani tha se janë të gatshëm edhe sa i përket strategjisë për nisjen e vaksinës dhe se janë në pritje që ajo të arrijë në Kosovë.

Ramadani: Ne jemi gati dhe po presim kontingjentin e parë të vaksinave të Oxfordit

“Ne jemi gati dhe po presim kontingjentin e parë të vaksinave të Oxfordit. Sigurimi i vaksinës pra është projektuar në strategji dhe pritet vetëm të realizohet, ekipet janë gati dhe kapacitetet pritëse janë gjithashtu gati. Si përfundim mund të themi se IKSHPK, faktikisht komiteti për monitorim dhe luftim të sëmundjeve ngjitëse tashmë e ka zbatuar dhe po e zbaton planin e gatishmërisë, ne jemi duke bërë edhe një strategji tjetër shtetërore për parandalimin, luftimin e pandemisë që do të zbatohet deri në shuarjen e pandemisë dhe deri në ekzistimin e ligjit anti-COVID. Duke e pasur parasysh shfaqjen e rasteve të reja me variantin e ri të virusit SARS, IKSHPK ka bërë tashmë hulumtimin dhe do të vazhdojë së shpejti të hulumtojë në mënyrë rutinore variantet e reja të virusit me aparaturat ekzistuese, njëkohësisht duke futur në punë edhe aparaturën e re të cilën e ka marr tashmë të cilën e bëjnë vetëm disa laboratorë të rralla të shteteve të avancuara të Evropës”, tha ai.

Ai ka bërë thirrje që masat anti-COVID, të vazhdojnë të respektohen nga të gjithë qytetarët dhe institucionet.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se sa i përket aspektit klinik të pacientëve të prekur nga COVID-19, situata paraqitet e menaxhueshme dhe është nën kontroll të plotë aktualisht.

Ai tha se ka dy muaj që situatën e kanë më të favorshme, ku tha se nga fillimi i këtij viti e deri më tash numri i pacientëve të shtrirë në Klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme sillet rreth 500.

Krasniqi: Kemi të shtrirë 526 pacientë, prej tyre 370 janë me oksigjenoterapi

“Sot konkretisht në nivel të njësive përbërëse të SHSKUK-së kemi të shtrirë 526 pacientë, prej tyre 370 janë me oksigjenoterapi të vazhdueshme, ndërkohë që 21 nga ta janë në gjendje më të rëndë, 7 prej tyre janë në respirator dhe gjendja e tyre vlerësohet si shumë kritike dhe 24 pacientë të tjerë janë me metodën tjetër të ventilimit të asistuar mekanik të njohur si CPAP...Fatmirësisht numri i pacientëve qoftë në repartin e izoluar të Gjinekologjisë, qoftë në repartin pediatrik është jashtëzakonisht i vogël dhe nuk kemi pasur nevojë për shtim të kapaciteteve. Sa i përket spitaleve të Përgjithshme, pacientët edhe më tutje janë duke u trajtuar në të gjitha spitalet dhe aty kryesisht në repartet e Infektives, në spitalet ku plotësohen këto kapacitete vazhdon trajtimi në repartet e Pomologjisë dhe më pastaj edhe në repartet e Internos. Prej Spitaleve të Përgjithshme më të ngarkuarit për sa i përket numrit të pacientëve paraqitet Spitali i Prizrenit me rreth mesatarisht 100 pacientë që trajtohen në këtë spital, më pastaj spitali i Gjakovës me 60 deri në 70 pacientë, ndërkohë që spitalet me më së pakti pacientë të shtrirë aktualisht janë Spitali i Vushtrrisë dhe i Mitrovicës”, tha ai.

Krasniqi tha se shumica e barnave janë të siguruara që nevojiten për trajtimin e pacientëve, por që tha se ka mungesa të herë pas hershme të ndonjë bari.

Deklarimi nga ministri në detyrë Armend Zemaj dhe nga përfaqësuesit e tjerë të institucioneve shëndetësore se situata është nën kontroll ka nxitur reagimin e Basri Lenjanit, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK.

Ai tha se emergjenca është e mbipopulluar me persona që kërkojnë shërbime, derisa tha se sukseset e prezantuara i sheh me mëdyshje.

Lenjani: Agjencionet që po i prezantojnë sukseset dhe përparimet, unë e ndajë me mëdyshje

"Agjencionet që po i prezantojnë sukseset dhe përparimet, unë e ndajë me mëdyshje. Ejani vizitoni Shërbimin Klinik Emergjent ku është mbipopullim të rasteve të cilët kërkojnë shërbime, nuk ka vende sidomos për pjesën e kardiologjisë. Në mjekimin intensiv po flas për sëmundje jo për COVID, të paktën në këtë drejtim ne duhet të jemi pak më sy hapur. Ata janë njerëzit tanë, ata janë familjarët e tanë të cilët kërkojnë shërbime. Në muajin qershor e kam potencuar nuk jemi të interesuar t’i hapim lokalet apo pyetja ime a jemi të interesuar t’i hapim lokalet e t’i mbushim spitalet, ndodhi e kundërta. Deri para tri jave asnjë reagim nga institucionet nuk ka qenë, pas zgjedhjeve tash po kemi rritje të numrit. Me 22 shtretër dhe të sëmurët të cilët vijnë në gjendje të rëndë qoftë nga mjekësia parësore dhe dytësore jam i pafuqishëm t’i mbështes", tha ai.

Atij i është përgjigjur ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha se në muajin janar janë rikthyer pothuajse të gjitha shërbimet specialistike, derisa theksoi se janë të interesuar që të kthehen të gjitha shërbimet në nivel vendi.

Ndërsa, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se më 5 janar ka filluar rikthimi gradual i shërbimeve kirurgjike, ndërsa theksoi se në të njëjtën datë janë rikthyer të gjitha shërbimet specialistike.

Krasniqi: Me datën 5 janar janë rikthyer të gjitha shërbimet specialistike

“Me datën 5 janar janë rikthyer të gjitha shërbimet specialistike, në QKUK dhe në të gjitha Spitalet e Përgjithshme, po ashtu me 5 janar ka filluar edhe rikthimi gradual i shërbimeve kirurgjike për pacientët që kërkojnë ndërhyrje jo emergjente. Është shumë e vërtetë fakti që Klinika Emergjente është jashtëzakonisht shumë e mbipopulluar me numër të madh të pacientëve, shpesh herë ndoshta edhe me pacientë të cilët mund të trajtohen qoftë në nivelin primar, qoftë në nivelin sekondar dhe sa i përket nivelit sekondar ne tashmë kemi kontakte dhe menaxhim të përditshëm që rastet që mund t’i trajtojnë duhet t’i trajtojnë në Spitalet e Përgjithshme”, tha ai.

Në këtë takim drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Naser Krasniqi, tha se që nga 1 janari i këtij viti e deri më 18 shkurt kanë bërë mbi 14 mijë inspektime, për personat fizik për mos respektim të masave anti-COVID kanë shqiptuar 238 gjoba, ndërsa për personat fizik 232 gjoba.

Ai tha se gjatë fushatës elektorale të subjekteve politike nuk janë respektuar masat anti-COVID dhe për këtë kanë shqiptuar edhe gjoba, por që theksoi se nuk janë të kënaqur për shkak të pamundësisë së kapaciteteve të inspektoratit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat