Bejtullahu nga GERMIN: Procesi i numërimit të votave nga jashtë i ngadalshëm, deri tani 28 përqind e tyre janë refuzuar

Aktuale

Bejtullahu nga GERMIN: Procesi i numërimit të votave nga jashtë i ngadalshëm, deri tani 28 përqind e tyre janë refuzuar

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 23:57
Foto ilustruese

Organizata GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Sihana Bejtullahu nga kjo organizatë procesin e numërimit të votave e cilësoi si shumë të ngadalshëm.

“Në ditën e martë ka filluar edhe verifikimi i personave të cilët kanë dërguar zarfet e tyre të supozuara me fletëvotime dhe procesin e kemi vlerësuar si shumë të ngadalshëm duke marrë parasysh që është ditur me herët numri shumë i madh i votuesve dhe tek dje KQZ ka vendosur që të rrisë numrin e personave të cilët verifikojnë secilin person që ka votuar nga jashtë”.

Bejtullahu foli edhe për zarfet që janë refuzuar nga KQZ teksa tregoi edhe arysen e refuzimit.

“Deri tani kemi 12 mijë e 746 persona të cilët janë refuzuar nga totali i 44 mijë e 720 fletëvotimeve të verifikuara. Nëse kjo përkthehet në përqindje i bie që 28% të të gjitha atyre fletëvotimeve që po verifikohen janë refuzuar dhe kjo është shifër goxha e lartë”.

“Ajo që kemi mundur të shohim nga këtu është që shumica e personave që janë refuzuar janë persona që kanë votuar në grup – pra janë dorëzuar disa zarfa brenda një pakoje dhe në momentin e verifikimit nëse vetëm njëri prej tyre nuk i ka plotësuar kushtet e caktuara atëherë më rregulla i bie që e gjithë pakoja të refuzohet”, tha Bejtullahu.

“Raste të tjera të refuzimit janë edhe kur personat e tjerë nuk janë regjistruar në listën e votuesve për zgjedhjet e vitit 2021, nëse kanë qenë të regjistruar më 2019 dhe nuk e kanë ditur se duhet të regjistrohen prapë”.

Tutje Bejtullahu tha se “GERMIN” e cilëson si mungesë të informimit të qytetarëve se si të votojnë gjithë përqindjen e refuzimit në këto zgjedhje.

“Gjithë këtë përqindje të refuzimit e vlerësojmë si mungesë të informimit të personave se si duhet të votojnë. Ne si organizatë kemi bërë një kampanjë “Diaspora Voton” por kjo nuk ishte e mjaftueshme pasi KQZ-ja nuk ka bërë një kampanjë që votuesit të kuptojnë qartë gjithë procesin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat