Edhe pse kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në faqen e tij në Facebook, ditë më parë ka publikuar një foto ku shihet bashkë me kolegun e tij partiak, Kujtim Shala, e cila u pa si një paralajmërim se ky i fundit mund të vije në krye të LDK-së, një gjë e tillë nuk po del të jetë e saktë.
Sipas zyrtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Berisha, djali i ish-kryeparlamentarit Kolë Berisha, i cili një kohë ishte edhe këshilltar i kryeministrit Hoti, Kujtim Shala nuk do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.
Berisha ka treguar se Shala nuk do të kandidoj, pasi kështu ka vendosur ai.
“Një gjë e di se Kujtim Shala nuk do të jetë pjesë e garës për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu ka vendosur Kujtimi që mos t’i hyjë kësaj gare”, ka deklaruar Berisha, përcjell “Bota sot”.
Kujtojmë se dy javë para kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku pritet zgjedhja e kryetarit të ri të kësaj partie, vetëm ministri në detyrë i Mbrojtjes dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Anton Quni, ka rikonfirmuar qëllimin për të marrë timonin e partisë. Kandidatët e tjerë të përfolur nuk kanë konfirmuar zyrtarisht kandidaturat. /Bota sot/