Hoxhiq i drejtohet Supremes pas vendimit “skandaloz” të PZAP-së

Aktuale

Hoxhiq i drejtohet Supremes pas vendimit “skandaloz” të PZAP-së

Më: 9 mars 2021 Në ora: 11:07
Adrijana Hoxhiq

Adrijana Hoxhiq, udhëheqësja e subjektit politik boshnjak “Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq”, i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia anuloi mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq e vlerësoi vendimin e PZAP-së të marrë më 8 mars, si “skandaloz dhe të papranueshëm”, pasi sipas saj, me anulimin e votave, shkelen të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës.

Ajo paralajmëroi se nëse Supremja nuk hedh poshtë vendimin e PZAP-së, do të shfrytëzojë edhe instanca të tjera gjyqësore, duke aluduar në Gjykatën Kushtetuese dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

“Absolutisht do të shkojmë deri në fund. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha institucionet dhe resurset që i kemi brenda Kosovës. Por, në qoftë se kjo nuk jem rezultat, ku do të respektohej e drejta e njeriut për të votuar sipas vullnetit, do të shkojmë edhe më tutje, do t’i shfrytëzojmë edhe mekanizmat e institucioneve jashtë vendit”, tha Hoxhiq, pasi dorëzoi ankesën në Supreme.

Gjykata Supreme ka afat prej 72 orësh që të marrë vendim nga momenti i pranimit të një ankese.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi tërësi votat në zgjedhjet e 14 shkurtit, për subjektet politike boshnjake në komunat të banuara me shumicë serbe, siç janë Zubin Potoku, Shtërpca, Ranillugu, Graçanica, Parteshi, Kllokoti, Novobërda, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi.

Me këtë vendim, PZAP-ja ka anuluar 4.205 vota të cilat i kishte siguruar subjekti politik boshnjak, i udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq, në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq, sipas rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kishte fituar 6.422 vota apo një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

PZAP ka vepruar pas apelet nga subjektet politike boshnjake Iniciativa Jonë (Nasha Iniciativa), Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), të cilat kërkuan që të anulohen votat e ardhura nga komuniteti serb për partinë “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq”. Sipas tyre, Hoxhiq, por edhe “Iniciativa Rome” e cila ka fituar dy ulëse në kuvend, kanë siguruar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, me ndihmën e Listës Serbe dhe kanë marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë këto komunitete.

Në arsyetimin e vendimit, PZAP-ja thotë se votat e përgjithshme të partive boshnjake u rritën për 49 për qind, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019 dhe sipas këtij paneli, kjo rritje erdhi për “një arsye të vetme, ku si asnjëherë më parë, mijëra votues të komunitetit serb në Kosovë votuan për përfaqësuesit boshnjak”.

PZAP ka vendosur të anulojë edhe mbi 800 vota për Iniciativën Rome, të cilat i kishte siguruar në komunat me shumicë serbe.

Iniciativa Rome ka siguruar 4,049 vota.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti turk ka të garantuara dy ulëse, ndërkaq për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë të garantuara nga një ulëse si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota. Një ulëse e garantuar i takon edhe komunitetit goran.

Sipas PZAP-së, vendet e rezervuara janë garanci kushtetuese, të cilat Republika e Kosovës i ka marr, me të vetmin qëllim për trajtimin e avancuar të të drejtave të pakicave në kuadër të institucioneve shtetërore”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat