Ia uruan fitoren, Lumir Abdixhiku ua kthen Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit

Aktuale

Ia uruan fitoren, Lumir Abdixhiku ua kthen Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit

Nga: D.RR Më: 14 mars 2021 Në ora: 20:44
Lumir Abdixhiku

Kryetari i sapo zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një postim në Facebook ka shkruar pasi ka marrë sot detyrën e re.

Ai fillimisht ka falenderuar të gjithë delegatët e LDK-së, e gjithashtu edhe kundërkandidatët e tij në garën për të parin e partisë.

Abdixhiku ka bërë të ditur që ka marrë mesazhe urimi edhe nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, e gjithashtu edhe nga liderë të tjerë politik.

Ai në postim ka falenderuar të gjithë për urimet që ka marrë.

Postimi i tij i plotë:

Ju faleminderit.

Ju faleminderit nga zemra për besimin, përgjegjësinë dhe nderin e dhënë.

Sot po marr detyrën më me peshë – dhe njëkohësisht më me nder - në jetën time; udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës; shtëpinë politike të themeltarëve të shtetit tonë. Po e marr këtë detyrë me dije të plotë mbi sfidat e ardhshme, por me bindje të fortë për rrugën që duhet ndjekur përpara.

Sot mbajtëm një proces zgjedhor demokratik. Treguam kulturë të lartë politike e vendosëm një standard të ri në skenën kosovare. Për këtë më meritorët janë delegatët e Kuvendit të LDK-së; anëtarësia jonë – e mbi të gjitha miqtë e mi, kundërkandidatët e sotëm e bashkëpunëtorët e mi të përhershëm: Lutë, Besian, Anton – ishte kënaqësi. Sot, në emër të LDK-së falenderoj edhe ish Kryetarin Mustafa që për 10 vitet e shkuara udhëhoqi me shtëpinë tonë politike.

Idetë e LDK-së i qëndrojnë kohës. Ato janë fundamente jo vetëm të organizimit tonë partiak, por janë dhe shtylla themeltare të shtetit të Kosovës. Janë ide të nisura nga Presidenti Ibrahim Rugova, janë ide të kultivuara nga dy kryetarët paraprak – do të mbesin ide të mijat e të secilit me të cilin do ta bëjmë këtë rrugëtim bashkë.

Sot po e hapim një faqe të re me synime e qëllime për ta kthyer LDK-në në vendin e saj meritor në skenën politike kosovare. Rruga përpara s’është e lehtë, por ajo duhet të jetë e mbarë dhe e drejtë. Rruga përpara kërkon mobilizimin e mendjeve më të mira që kemi brenda. Rruga përpara kërkon rikthimin e mbështetësve të LDK-së, që më kohë kanë ndarë rrugët me ne. Rruga përpara kërkon hapjen ndaj mendjeve më të mira të vendit, që LDK-në dhe idenë e saj e shohin si bindje origjinale e tyre.

LDK do të jetë forcë kujdestare e Republikës së Kosovës në secilën detyrë që qytetarët e drejtë e të mbarë të këtij vendi e dërgojnë. LDK do të jetë forcë konstruktive, aktive dhe e pashterrshme në përpjekjen tonë të përbashëkt për progres. Në fund, të gjithë e kemi këtë shtet.

Më lejoni që këtu, të falenderoj të gjithë politikanët vendorë e ndërkombëtarë për urimet e marra sot. Falenderoj Kryeministrin në detyrë z. Hoti, u.d. e Presidentes znj. Osmani, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje! z.Kurti; kryetarin e AAK-së z. Haradinaj; kryetarin e Kryeqytetit z. Ahmeti; Kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri z.Lulzim Basha e ish Presidentin shqiptar z. Sali Berisha, miqtë tanë në Partitë Popullore Evropiane dhe gjithë kolegët, bashkëpunëtorët e përfaqësuesit tjerë të korit diplomatik.

Zoti e bekoftë Kosovën.

I juaji, �Lumiri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat