Dy ditë para mbylljes së shkollave, zv/ministri i Arsimit zbulon planin qeveritar

Aktuale

Dy ditë para mbylljes së shkollave, zv/ministri i Arsimit zbulon planin qeveritar

Më: 17 mars 2021 Në ora: 19:26
Ilustrim

I gjithë niveli arsimor mund të shkoj në pushim nga data 22 marsi 2021, për një javë rresht.

Për këtë, po pritet një vendim nga Qeveria pas konsultave dhe propozimeve të bëra të martën nga institucionet përgjegjëse.

E gjithë kjo si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të të infektuarve me COVID-19.

Zv.ministri i Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexhaj, thotë se vendimi është në favor të sistemit arsimor, pasi që mësimdhënësit po vazhdojnë të infektohen nga virusi dhe pastaj nuk do të ketë staf të mjaftueshëm t’i zëvendësojnë ata.

“Na duhet me i dhanë sistemit pushim se arsimtarët i kemi të lodhur, nxënësit i kemi të lodhur, me i dhanë sistemit pushim që mos me ardhë në situatë që të infektohen më shumë arsimtarë që mos me pasë me kënd t’i zëvendësojmë, ajo është kolaps mandej i sistemit, këtu është problemi”, tha Rexhaj.

Sipas tij, sistemi arsimor gjatë këtij semestri pandemik ka pësuar shumë sa i përket cilësisë.

“Ne jemi dukë bërë çmos, tash e kemi formuar një grup të ekspertëve në Ministri të Arsimit, që pos pjesëmarrjes në mësim mos me pasë mungesa dhe me siguru me rritë edhe pak cilësinë”, tha ai tutje.

Ndër të tjera, ai tregon se do të bëhet rishikimi i mënyrës së vazhdimit të mbajtjes së mësimit.

Disa nga prindërit janë pro vendimit që të ndërpritet mësimi, por ka edhe nga ata që nuk pajtohen me vendimin e qeverisë.

Madje ka edhe të atillë që e fajësojnë Qeverinë se në fushatë nuk ndërmori asnjë masë kundër politikanëve që shkelen rregullat.

“Shumë i padrejtë është dashtë mi pasë masat përpara fushate, kanë majtë fushata nëpër shkolla tash me na mbyll fëmijët në shtëpi është shumë e padrejtë, se e kanë hup edhe gjysmë-vjetorin e vitit të kaluar, është shumë e padrejtë prej anës së Qeverisë këto massa kshtu që i marrin”, thotë qytetarja Bukurije Avdijaj.

Kundër këtij vendimi është edhe qytetarja, Fjolla Sahiti.

“Kanë pasë shumë pushime ma merr mendja që ma mirë me mbajtë mësim fëmija”, tha ajo.

Qytetari Gëzim Konjusha, po konsideron se ndërpreja e mësimit është e paarsyeshme.

“Ekspertët duhet me thënë fjalën e fundit për këtë çështje, mua po ma merr mendja që pushim jo a me pasë mësim online duhet me pasë”, shtoi ai.

Qytetari tjetër Afrim Qazimi thotë se ky pushim mund edhe të mos sjell dobi për nxënësit.

“Ma mirë e dinë ata se na çka kemi me ditë na por mundet me shku edhe në dëm të nxënësve”, u shpreh Qazimi.

E njohësit e arsimit, këtë vendim që pritet t’a marr Qeveria po e shohin si të mangët dhe të çuditshëm.

Rinor Qehaja thotë se vendimi është i pakuptimtë në kohën kur dihet që shumë sektorë tjerë janë të hapur dhe kur në veçanti statistikat nga gjysmë-vjetori i kaluar dëshmojnë se shkolla nuk paraqet rrezikshmëri të lartë për shpërndarjen e virusit.

“Vendimi i Qeverisë për ndërprerjen e mësimit fizik duket i pakuptimtë derisa nuk ka një sqarim të detajuar dhe mirë komunikim me komunitetin e shkollës sa i përket se kush është arsyeja e vërtetë e marrjes së këtij vendimi, nëse në të vërtetë shkolla na qenka burim i infeksionit atëherë le të komunikohet kjo tutje te komuniteti dhe të merren masat e duhura mbrojtëse si reagim karshi po të njëjtës”, shtoi Qehaja.

Nga shfaqja e pandemisë mësimi ishte zhvilluar online si dhe fillimi i vitit në shtator nisi me vonesë për arsye të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat