Prokurori që e konsideroi rastin e Agonis Tetajt 'vrasje nga pakujdesia': Nuk është ditur a është armë e vërtetë apo me gaz

Aktuale

Prokurori që e konsideroi rastin e Agonis Tetajt 'vrasje nga pakujdesia': Nuk është ditur a është armë e vërtetë apo me gaz

Më: 17 mars 2021 Në ora: 19:37
Agron Uka

Prokurori i krimeve të rënda në Gjilan, Agron Uka, ka folur pas publikimit të pamjeve të momentit të vrasjes së Agonis Tetajt nga djali i pronarit të kompanisë në të cilën i ndjeri ishte i punësuar.

Uka ka thënë se e ka cilësuar këtë rast “vrasje nga pakujdesia” për shkak se në këtë rast nuk ka ekzistuar dashja dhe i akuzuari nuk e ka ditur a është arma e vërtetë apo me gaz.

“Është video mirëpo qëllimi është tek elementi i dashjes, a ka ekzistuar apo ekziston dhe a e ka ditë ky se a është armë e vërtetë apo armë me gaz. Krejt qaty o kanë se dy armë janë konstatu që kanë qenë aty edhe qekjo situatë ka qenë”, e arsyetoi prokurori ricilësimin e veprës penale.

Ai tha se i akuzuari ka deklaruar se e ka marrë armën që të shkojë në piknik dhe gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.

“Ky thotë: “unë armën me gaz e di që ka qenë”, dhe pikërisht qëllimi thotë që e ka marrë me shku në një piknik ku ka pasë me shku dhe të njëjtën thotë “e kam marrë e kam mbush dhe e kam shkrepë”. 
Kjo është ajo situatë dhe kaq”, deklaroi prokurori.

Uka shtoi se krejt kjo ka ndodhur për 1 sekondë dhe s’kanë arritur ta argumentojnë qëllimin e të akuzuarit.

“Krejt qekjo për 1 sekondë u kry, veprimi i mbushjes dhe shkrepjes për 1 sekondë o kry dhe shumë shpejt, në aspektin psikologjik motivi dhe qëllimi ka ardhë deri tek ajo që s’kemi mujtë dhe janë edhe dëshmitarët e janë edhe familjarët e viktimës e thonë asnjë motiv, qëllim nuk ka, u kry pikë”, tha prokurori.

Gjatë ditës KALLXO.com ka kontaktuar edhe me prokuroren Sahide Gashi, e cila e ka hetuar rastin nga fillimi deri në fund.

Gashi pasi u pyet nëse ka pasur prova për vrasje të rëndë deklaroi se po të mos kishte prova nuk do ta ngriste aktakuzën.

“Në çdo rast dhe edhe këtu përderisa nuk e krijoj bindjen e plotë për veprën që ekziston unë nuk e paraqes aktakuzën”, ka thënë prokurorja Gashi.

Ajo ka shtuar se pa ndonjë arsye janë larguar nga përfaqësimi i këtij rasti me pretendimet se Prokuroria e Pejës ka qenë e njëanshme në këtë rast.

“Me kërkesë të mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Besnik Berisha, është kërku përjashtimi im tek kryeprokurori i Pejës e cila është refuzu. 

Më pas avokati në apel ka kërku përjashtimin e gjithë Prokurorisë së Pejës dhe e njëjta është aprovu. 

Sipas nesh nuk ka pasur asnjë argument që e ka mbështet atë pretendim”, ka thënë Gashi.

Sipas saj po të ekzistonte njëanshmëria e tyre në këtë rast atëherë ajo ose dikush nga Prokuroria e Pejës do të duhej të përgjigjej për përgjegjësi disiplinore mirëpo kjo nuk kishte ndodhur.

“As unë e as prokurorët e tjerë të Pejës nuk jemi thirrur në shkelje të Kodit të Etikës sepse në qoftë se jemi të njëanshëm na ish dashtë me u përgjigj mirëpo nuk na kanë thirrë në përgjegjësi e as nuk është iniciuar ndonjë procedurë disiplinore kundër nesh mbi këtë bazë”, tha Gashi.

Pas këtyre deklaratave KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe ish-kryeprokurorin e Apelit, Haxhi Dërguti, i cili e kishte përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga ky rast mirëpo i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Publikimi i videos së vrasjes së një të riu në vendin e tij të punës e shokoi opinionin publik në Kosovë.

Video e vrasjes së Agonis Tetjat në kompaninë “Gogaj AG” u bë publike nga prindi i të ndjerit pasi prokurori Agron Uka e lehtësoi veprën nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Isuf Tetaj përmes një shkrimi publik drejtuar kryeprokurorit të shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen  dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë.

Pasi kjo aktakuzë u ndryshua nga prokurori Agron Uka duke e cilësuar këtë vrasje si nga pakujdesia i akuzuari Gogaj e pranoi fajësinë.

E pas pranimit të fajësisë, avokati Besnik Berisha deklaroi se kualifikimi i ri i prokurorit e reflekton të vërtetën që ka ndodhur në ditën kritike.

“Ky kualifikim juridik reflekton gjithçka çka ka ndodhur ditën kritike, identiteti i kësaj aktakuzë është drejtësia e munguar gjatë gjithë hetimit deri më sot”, tha avokati Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat