Këto ishin fjalët e shefit të ri të CIA-s, gjatë vizitës së 2012-ës në Kosovë

Aktuale

Këto ishin fjalët e shefit të ri të CIA-s, gjatë vizitës së 2012-ës në Kosovë

Më: 19 mars 2021 Në ora: 09:32
William Burns

Senati i Shteteve të Bashkuara konfirmoi diplomatin veteran, William Burns, drejtor të CIA-s (Agjencisë Qendrore të Inteligjencës).

Burns, 64 vjeç, u mbështet me votim unanim.

Ai ka shërbyer më herët edhe në administrata të Partisë Demokratike, edhe të asaj Republikane.

Ai do të jetë diplomati i parë i karrierës që drejton CIA-n.

Në muajin shkurt, gjatë seancës dëgjimore në Komitetin e Senatit për Inteligjencë, Burns ka përshkruar katër prioritetet e tij: “njerëzit, partneritetet, Kinën dhe teknologjinë”.

Ai e ka përshkruar Kinën si “një kundërshtare të frikshme” dhe “autoritare”, e cila, siç ka thënë, “po i forcon aftësitë e saj për të vjedhur pronën intelektuale, për të shtypur njerëzit e saj, për të zgjeruar shtrirjen dhe për të krijuar ndikim brenda Shteteve të Bashkuara”.

Në vitin 2012, Burns, atëbotë zëvendëssekretar i Departamentit amerikan të Shtetit, ka vizituar Kosovën.

Në takim me udhëheqësit e atëhershëm, Burns është zotuar se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen “për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”.

Burns po ashtu ka mbështetur idenë se dialogu është “i vetmi instrument për zgjidhjen e problemeve” midis Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat