Gjenerali shqiptar i ka “dy fjalë për ministrin e kasapit Milosheviq dhe shokun e tij shqiptar”

Aktuale

Gjenerali shqiptar i ka “dy fjalë për ministrin e kasapit Milosheviq dhe shokun e tij shqiptar”

Nga: A.Zh Më: 20 mars 2021 Në ora: 21:13
Ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Dritan Demiraj

Ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Dritan Demiraj, ka reaguar pas fotos së publikuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e cili hartën e Kosovës e mbuloi me flamurin e Serbisë.

Gjenerali shqiptar i ka thënë Vuçiqit se kur të dojë mund të vijë në trojet shqiptare, duke e porositur me një shprehje të moçme shqiptare, përcjell Bota sot.

Ndërsa, kryeministrin shqiptar Edi Rama, Demiraj e ka quajtur “shok tradhtar” të Vuçiqit, duke thënë se ky i fundit ka guximin të bëjë lajm me hartën e Kosovës, pikërisht falë tij.

Ai ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja të dënojnë provokimin e Vuçiqit, pasi sipas tij, interesi i të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në BE e jo luftënxitja.

Reagimi i Demirajt në Facebook:

Të dashur bashkëkombas!

Dy fjalë për ministrin e kasapit Millosheviq, Vuçiq dhe shokun e tij shqiptar Rama!

#Vuçiq: Shumë Shqiptarë kanë dhënë jetën për atë hartë që zotrote e bën pis me flamurin tënd... dhe shumë shqiptarë të tjerë janë gati të japin jetën prapë në çdo moment që t'i do të guxosh prapë thjesht të mendosh se mund të bësh "humor" apo "lajm" për të marrë ca klikime më shumë.

Kur të duash "bujrum" në trojet tona!

Çfarë mendon zotrote, kujton se të gjithë shqiptarët janë si shoku juaj tradhtar....

Duke mos dashur të merrem me ty se nuk ja vlen, po e mbyll me një shprehje të moçme të popullit tim. "#Mos e kruaj me gjethe fiku"!

#Rama: Në atë hartë që zotrote i referohesh si "hartë leshi", është derdhur gjaku i mijëra vëllezërve, motrave, fëmijëve dhe të moshuarve që ai "shoku jot" i ka pasur në majën e bajonetës dhe grykën e pushkës në vitet 1998-1999.

Sigurisht që ti nuk i mban mend këto se ke qenë rrugëve të Francës në atë kohë. Falë teje, ai shoku jot ka dhe guximin të bëjë lajm me hartën e trojeve shqiptare.

Por, mos u bëj merak se pas 25 prillit mund t'i bashkohesh shokut tënd të ngushtë...

SHBA-të dhe BE duhet me një zë të dënojnë ketë provokim të ulët të serbomadhit Vuçiq për shqiptarët dhe karshillëk ndaj çdo përpjekjeje të SHBA-ve dhe BE-së për stabilitet në rajon.

Sot në vitin 2021, interesi i të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në BE dhe jo nxitja për luftë, konflikt dhe urrejtje.

D.D. Tiranë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat