Nuk arriti t’ia dorëzonte detyrën, Haradinaj-Stublla i dërgon letër publike Donika Gërvallës

Aktuale

Nuk arriti t’ia dorëzonte detyrën, Haradinaj-Stublla i dërgon letër publike Donika Gërvallës

Nga: A.Morina Më: 23 mars 2021 Në ora: 09:51
Donika Gërvalla dhe Meliza Haradinaj-Stublla

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj iu është drejtuar me një letër publike ministrës së re të MPJD, Donika Gërvallës.

Haradinaj-Stublla i shkroi Gërvallës letër, në pamundësi për t’ia dorëzuar detyrën zyrtarisht

“Në pamundësi për t’ua dorëzuar detyrën zyrtarisht (për arsye të njohura e disa ende të panjohura për publikun), po u drejtohem me një letër publike, me urimet më të sinqerta, dhe me këshilla të vogla praktike nga përvoja ime e mandatit të shkurtër qershor 2020 – mars 2021”, u shpreh Haradinaj-Stublla, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

NË VEND TË PRANIM-DORËZIMIT TË DETYRËS

PËR: SH.S.Z. Donika Gërvalla, Zëvendës-Kryeministre dhe Ministre e VII-të e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës

E nderuar Ministre,

Ju uroj përzemërsisht për zgjedhjen në pozitën e rëndësishme të Ministres sonë të shtatë me radhë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.

Në pamundësi për t’ua dorëzuar detyrën zyrtarisht (për arsye të njohura e disa ende të panjohura për publikun), po u drejtohem me një letër publike, me urimet më të sinqerta, dhe me këshilla të vogla praktike nga përvoja ime e mandatit të shkurtër qershor 2020 – mars 2021.

Roli i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës është privilegj i jashtëzakonshëm, por edhe barrë e rëndë që do t’a bartni mbi supet tuaja. Kosova globalisht do të personifikohet me ju, dhe fjala juaj do të jetë zëri i Kosovës. 24 orë në ditë, e 7 ditë në javë, do të jenë të pamjaftueshme për të punuar për të jetësuar vullnetin dhe idealin politik e kombëtar. Familja juaj do të privohet nga prezenca juaj e nevojshme, dhe shpesh do të ndjeheni e vetmuar në zyre apo në udhëtim. Shumë shpesh do të gjindeni e vetme përballë vendimeve të vështira, dhe ndoshta nuk do të gjeni përkrahje as nga kolegët e afërt. Në momentet më të vështira, kundërshtarët do të vlojnë, e miqtë e vjetër do të heshtin. Mos u dorëzoni, veproni gjithnjë sipas bindjes dhe gjykimit tuaj të sinqertë, me konfidencën dhe besimin se po veproni drejt në interes të Kosovës dhe atë kombëtar, ashtu siç ua thotë zemra dhe mendja.

Shumë shpesh, do të përballeni me kërkesa të shumta për vizita nga zyrtarët serb, shumica relikte të Millosheviqit. Mos i lejoni të vijnë e të defilojnë nëpër territorin tonë, sepse ende nuk kanë dhënë përgjegjësi kriminale për krimet gjenocidale ndaj nesh. Mos i harroni Nezir Mehmetajn dhe Blerim Maçastenën që po mbahen ilegalisht të burgosur në Serbi, dhe mos e neglizhoni rëndësinë e përsëritjes së vazhdueshme të kërkesës në instanca ndërkombëtare për ta.

Mos lejoni që t’u lënë jashtë dyerve të dialogut me Serbinë, sepse për Kosovën, kjo është çështja me e rëndësishme e politikës së jashtme, e kjo posaçërisht në përgjigje të shtetit fqinjë që këtë proces e konsideron si çështje të brendshme!

Ju lutem shumë - mos i harroni shqiptarët e Luginës, sepse ata janë në gjendjen më të vështirë kombëtare, ekonomike, sociale e politike nga të gjithë bashkëkombësit tanë anembanë botës. Ata kanë nevojë për zë, për mbështetje amë, për mbrojtje dhe amplifikim të kauzave kombëtare nga të gjithë ne. Vazhdoni t’a mbani MPJD-në në shërbim të tyre, dhe mos u habisni të besoni se pozita e shqiptarëve të Malit të Zi nuk po shkon në po të njejtin drejtim degradues!

Dhurimin e broshës në kornizë, të punuar nga dhimbja e duart e arta të motrave tona, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës – përmes Qendrës së Promovimit të të Drejtave të Grave (me të cilat nënshkrova Memorandum Bashkëpunimi), ju lutem vazhdojeni si traditë të MPJD-së të filluar nga unë. Zërin e tyre të dhimbjes, plagën e madhe të Kosovës, mungesën e drejtësisë për këto krime mizore, sa isha Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kam dhuruar tek secila zyre diplomatike botërore, dhe tek secila derë që më është hapur me kërkesën e përsëritur për drejtësinë e munguar! Bashkë me të, edhe librin e heroinës Fetnete Ramosaj “Kundër Harresës: Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998 – 1999.” Të dyja këto, ua lashë dhuratë në zyrën tuaj të ardhshme.

Në MPJD, do të përballeni edhe me një mori sfidash funksionale.

Domosdoshmëria për një koordinim të mirëfilltë ndërinstitucional me të gjithë bartësit e Politikës së Jashtme për lobim dhe konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit është mëse evidente. Për 13 vjet të ekzistimit të MPJ-së, asnjëherë nuk ka qenë funksional trekëndëshi ZPK – ZKM – MPJ. Tani e keni mundësinë unike për t’a realizuar këtë detyrim kushtetues në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Fakt i mirënjohur tashmë që Ministria që do të drejtoni nuk ka qenë imune ndaj ndikimeve politike të cilat kryesisht janë shprehur përmes emërimit të personelit diplomatik e konsullor jokompetent dhe pa kredenciale adekuate të përfaqësimit gjë që shpesh ka ndikuar në dëmtim të imazhit të vendit dhe mungesë të koherencës dhe konsistencës së veprimit diplomatik. Menjëherë pas marrjes së detyrës kam marrë vendimet për kthimin e diplomatëve të cilët kanë shërbyer nga dy-tri misione jashtë, për vite të tëra pa u kthyer në Kosovë, dhe dërgimin e diplomatëve kompetent, disa prej të cilëve asnjëherë nuk kanë shërbyer në misionet diplomatike e konsullore të Republikës së Kosovës. Ju inkurajoj të vazhdoni këtë parim rotacioni, e cila është bazë e një shërbimi funksional e llogaridhënës. Dhe mos harroni, që në MPJD ka njerëz me integritet të lartë, profesionalizëm të pashoq, dhe dedikim deri në vetëmohim – që përkundër jostabilitetit politik dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverive, e kanë mbajtur të lartësuar shtetin dhe interesin e Kosovës në botë, shpeshherë edhe fare pa udhëzim politik nga Prishtina. Kisha nderin të bashkëpunoj me ta, dhe të avancojmë bashkë interesat shtetërore në shoqërinë ndërkombëtare. Do të bindeni që përkundër bindjes popullore, këta profesionistë e patriotë, janë shumicë në MPJD dhe në Shërbim të Jashtëm.

MPJD ka nevojë për vazhdimin e veprimeve në adresimin e sfidave të identifikuara më lart, dhe më shumë se aq, prandaj për aq kohë sa kam qenë në detyrën që sot iu besua juve, ua vë në dispozicion institucional gjithë përvojën dhe gadishmërinë time për të ndihmuar në secilin aspekt punën dhe vazhdimësinë në MPJD, si ish titullare. Unë isha e privuar nga kjo mundësi, ndonëse kisha shumë nevojë të konsultohem me ish-Ministrat e Jashtëm për më shumë kontekst dhe informacion rreth temave specifike në fushëveprimin ministror.

Suksesi juaj, është tani suksesi i Kosovës. Mua, do më keni krahë mbështetës për punë të mira, dhe zë kritik për lëshimet eventuale. Tani, FORCA!​

Sinqerisht,

Meliza Haradinaj - Stublla

_________

Ministre e VI-të e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës

Prishtinë, 23 mars 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat