Komandant Ujku vazhdon të mbahet i ndaluar në Belgjikë, Specialja nuk tregon aryset

Aktuale

Komandant Ujku vazhdon të mbahet i ndaluar në Belgjikë, Specialja nuk tregon aryset

Më: 25 mars 2021 Në ora: 18:39
Komandant Ujku

Gjykata Speciale ende nuk e transferuar në qendrën e saj të paraburgimit në Hagë njërin nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjetër Shala, i njohur në luftë me nofkën “Komandant Ujku”, tash e 10 ditë po mbahet i ndaluar në Belgjikë, ku edhe jeton. Ai u arrestu të martën e javës së kaluar në shtetin që është në kufi me Holandën, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.

Zëdhënësja e Speciales, Angela Griep ka thënë se s’mund të japin më shumë informacion në lidhje me rastin e Pjetër Shalës nga ajo çfarë thanë në komunikatën e lëshuar për media ditën e arrestimit.

“Ne aktualisht nuk jemi në gjendje të sigurojmë ndonjë informacion shtesë nga ai i botuar në njoftimin tonë për shtyp më 16 mars 2021. Komunikatën për shtyp mund ta gjeni në faqen tonë të internetit. Informacione të mëtejshme do të sigurohen kur të jenë në dispozicion”, thuhet në përgjigjen e Griep.

Avokati i tij, Jean-Louis Gilissen ka thënë dje për një medium belg se Shala dyshohet se ka kryer krime midis viteve 1998 dhe 2000.

“Kjo është pikërisht një procedurë arrestimi me transferim. Ai dyshohet se ka kryer krime lufte midis vitit 1998 dhe 2000, ndërsa ishte shef i policisë ushtarake në një rajon të Kosovës”, ka thënë Jean-Louis Gilissen.

Shala, i cili gjatë viteve 1998-1999 kishte shërbyer në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë, akuzohet për krime lufte. Aktakuza kundër tij është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake të Speciales.

Gjykata Speciale më 16 mars tha se së shpejti do të publikohet aktakuza kundër Pjetër Shalës.

“Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë. Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme. Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thuhej në komunikatën e Speciales.

Në shkurt të vitit 2019, Shala kishte thënë se ishte intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë si i dyshuar.

Kush është Pjetër Shala?

Pas vrasjes së familjes Jashari në Drenicë në fillim të marsit 1998, Shala u kthye në Kosovë nga Shqipëria me një grup prej 20 deri në 30 burra të armatosur. Ata mbërritën të parët në Jabllanicë ku u bashkuan me njësinë lokale të UÇK-së.

Balaj në fillim të aktivitetit të tij ushtarak kishte stërvitur ushtarë të rinj dhe më pas ishte emëruar komandant i njësisë speciale të UÇK-së të vendosur në një fshat të Deçanit.

Ramush Haradinaj kishte urdhëruar që Pjetër Shala të transferohej nga Jabllanica në Dujakë në fillim të korrikut 1998.

Pjeter Shala, i cili punonte si kontraktor ndërtesash pas luftës, e kishte fituar shtetësinë belge në vitin 2003 pasi u njoh si refugjat politik. Ai ishte vendosur në qytetin belg të Visés. Ai ishte pjesë e proceseve gjyqësore nëpër gjykata të ndryshme, përfshirë Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, gjatë viteve 2005, 2008 dhe 2018.

Pjeter Shala dyshohet për ndalim arbitrar dhe trajtim çnjerëzor e degradues. Avokati i tij mund të kërkojë lirimin e tij me kusht që ai të paraqitet vullnetarisht në Hagë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat