Dy partitë opozitare në Vushtrri kundërshtojnë vendosjen e bizneseve në Zonën Ekonomike

Aktuale

Dy partitë opozitare në Vushtrri kundërshtojnë vendosjen e bizneseve në Zonën Ekonomike

Më: 2 prill 2021 Në ora: 16:07
Foto nga vendi i ngjarjes

Seanca e jashtëzakonshme e Komunës së Vushtrrisë për vendosjen e bizneseve në Zonën Ekonomike në Lumadh, ka dështuar pasi këtë seancë nuk kanë marrë pjesë në votim dy partitë opozitare, Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës për miratimin e pikës së vetme të rendit të ditës.

Me përplasje verbale ndërmjet kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe kryesuesit të Kuvendit, Nasuf Aliu është mbyllur kjo mbledhje pas diskutimeve.

Kryesuesi Nasuf Aliu tha se meqë nuk ka kaluar me vota të mjaftueshme rendi i ditës për vendosjen e bizneseve në Zonën Ekonomike, e shpalli mbledhjen të mbyllur.

Aliu: Kryetar nuk mundesh me fol pa ta dhënë fjalën

“Meqenëse 11 kanë votuar për të tjerët nuk kanë marrë pjesë në votim, kështu që nuk ka kaluar rendi i ditës. Kryetar nuk mundesh me fol pa ta dhënë fjalën. Unë nuk kam konstatuar që ka kaluar rendi i ditës, sepse kemi kaluar në dy propozime. Propozimi i dytë i ka marrë 9 vota, propozimi i parë i ka marrë 11 vota dhe nuk ka pasur kundër abstenim në as njërën e as tjetrën. Konform nenit 29 që ka të bëjë me ndërprerjen e seancës, konstaton se mbledhjet mund të ndërpriten kur gjatë mbledhjes numri i anëtarëve të kuvendit bie nën numrin e paraparë për mbajtje të mbledhjes dhe marrje të vendimit. Me kaq shpallim të mbyllur seancën e kuvendit për ditën e sotme”, theksoi Aliu.

Ndaj, këtij veprimi ka reaguar kryetari Tahiri, i cili i tha se duhet t’i vijë turp Aliut për ndërprerjen e mbledhjes.

Tahiri: A po të vjen marre për Zotin

“Kryesues unë të ftoj me bërë një pauzë 10 minutshe para se me mbyllë seancën. Me I ftuar grupet kuvendare. Prandaj, të bëjmë pauzë dhe nëse konstaton që pas pauzës nuk ka kuorum pastaj vepron. A po të vjen marre për Zotin?”, theksoi Tahiri.

Fillimisht kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se tani është koha kur bizneset duhet të fillojnë investimet, përgatitjet për investime, prandaj sipas tij nuk mundet me u shty pafundësisht ky proces.

Tahiri theksoi po ashtu se është e rëndësishme që në proces deri më tani si asnjë herë më parë dhe si askund tjetër në procesin e konkursit për Zonën Ekonomike kanë marrë pjesë si pozita ashtu edhe opozita.

Kryetari Tahiri i ftoi pozitën që mos të bëjnë obstruksione, dhe të votojnë këtë rekomandim për krijimin e 813 vendeve të reja të punës.

Tahiri: Nuk ka kuptim me i shtyrë 22 milionë euro investime

“Ju ftoj mos me bërë obstruksion, veç pse i keni numrat. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i ka numrat në këtë Kuvend. Veç unë nesër kam për t’iu ftuar prapë dhe për çdo ditë keni me pasë ftesë për seancë të jashtëzakonshme, le ta dinë qytetarët e Vushtrrisë që juve s’po iu bëhet vonë për me i kriju 813 vende të punës[…]Nuk ka kuptim me i shty 22 milionë euro investime, 22 biznese që presin për të hyrë në Zonën Ekonomike, 813 vend të punës që presin me u hap aty. Cdo ditë që vonohemi këtu, është një muaj ditë vonesë në terren[...]Sot janë 22 milionë euro të zotuara për të investuar në Zonën Ekonomike, 813 vende të punës. Ndoshta përfaqësues të PDK dhe VV ju keni kohë, por ata 813 të pa punë që presin me ia nis punës çdo minutë për ta është vonë. A nëse juve nëse nuk iu bëhet vonë nuk është problem”, theksoi Tahiri.

Për të vendosur për këtë, ai tha se është e vetmja praktikë në krejt Republikën e Kosovës që procesi i vendosjes së bizneseve në zonë ekonomike zhvillohet përmes kuvendit, në një procedurë transparente ku merr pjesë opozita e cila monitorohet nga BIRN dhe që praktikisht nuk ka pothuajse asnjë ankesë për sa i takon procedurave të ndjekura me rastin e vendosjes së bizneseve në Zonën Ekonomike.

Tahiri: Nuk ka arsye opozita

“Pra, arsyetimi që nuk janë konsultuar grupet kuvendare para se të thirret kjo seancë e jashtëzakonshme, nuk është arsye, sepse përfaqësuesit e secilit grup kuvendar kanë qenë pjesë e Komisionit për vendosjen në Zonën Ekonomike. Edhe përfaqësuesi i PDK-së, edhe ata të VV-së, edhe shoqëria civile. Dhe të gjithë ju bashkë keni sjell një rekomandim për bizneset që duhet të vendosen në Zonën Ekonomike. Pse seancë e jashtëzakonshme? Për faktin se me thënë sot nuk është e jashtëzakonshme me I dalë ndihmë biznesit në kulmin e krizës së pandemisë, është njësoj si me thënë nuk është asgjë e jashtëzakonshme me fillua me vaksina, ka kohë me pritë. Meqë ra fjala për vaksina, sot në Vushtrri ka filluar procesi i vaksinimit. Por, në kulmin e një krize ekonomike që e ka qyteti I Vushtrrisë me thënë që nuk është e jashtëzakonshme, munden me pritë bizneset për me u vendos në zonën ekonomike, është arsye që nuk ‘pin ujë’. Nëse sot e kemi një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, aleati im i deri djeshëm, e sot vijnë në kuvend për me penguar një proces kaq të rëndësishëm e jetik për biznesin, për zhvillimin ekonomik të Vushtrrisë, le të jetë kështu, por le ta dinë qytetarët e Vushtrrisë unë nuk kam qenë i përfshirë në procesin se si është përzgjedhur secili përfitues në zonën ekonomike. As që më ka interesuar ajo punë, ka qenë punë e Komisionit të kuvendit”, tha ai.

Zona Ekonomike në Lumadh është licencuar para dy viteve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat