Albin Kurti ia siguron votën e 80-të Vjosa Osmanit, arrin marrëveshje me këtë deputet

Aktuale

Albin Kurti ia siguron votën e 80-të Vjosa Osmanit, arrin marrëveshje me këtë deputet

Më: 4 prill 2021 Në ora: 14:52
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

(E plotësuar 16:00) - Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se beson që sot do të kryhet çështja e zgjedhjes së presidentit.

Ajo ka thënë se gjatë ditës së sotme janë angazhuar për ta siguruar edhe votën e 80-të.

Ajo nuk ka pranuar ta përmend emrin e deputetit në fjalë.

Por, së fundmi është raportuar se ka një marrëveshje me deputetin Adem Hoxha nga Partia Unike e Goranëve (Jedinstvena Goranska Partija).

***

Në takimin e sotëm me deputetin Adem Hoxha nga Partia Unike e Goranëve (Jedinstvena Goranska Partija), Kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen dhe votën e këtij deputeti në seancën e sotme të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.

Media merr vesh se marrëveshja mes Kurtit dhe deputetit Hoxha është arritur para pak çastesh në një takim të zhvilluar mes tyre në Prishtinë.

Ndonëse, nuk janë bërë të ditura detajet e marrëveshjes, zyrtarë të Partisë Unike të Goranëve kanë bërë të ditur se deputeti Hoxha ka reflektuar, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë në të cilën gjendet vendi si pasojë e pandemisë.

“Për shkak të gjendjes së rëndë me pandeminë dhe ekonominë dhe duke mos dashur të bllokojmë krijimin e institucioneve nuk dëshirojmë ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Prandaj,  do të marrim pjesë në seancën ku do të votohet për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë zyrtari i kësaj partie.

Sipas të njëjtave burime edhe të shtunën ishte mbajtur një takim mes Hoxhës dhe Kurtit, por nuk ishte arritur marrëveshja, që ky deputet të marrë pjesë në seancën ku do të votohej për presidentin e Kosovës, pasi Kurti nuk kishte ofruar asgjë në kompensim për votën.

Mësohet se kërkesat e kreut të partisë së goranëve për ta dhënë votën për kandidaten për presidente ishin modeste dhe kishin të bëjnë me disa poste në kabinetin qeveritar.

Me votën e siguruar nga deputeti i partisë së goranëve, pritet që në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, të paraparë për sot në orën 17:00, të marrin pjesë 83 deputetë. Ndërsa, votën në kuti pritet ta hedhin 80 prej tyre, pasi tash dihet se tre deputetë të LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj, ndonëse do të jenë në seancë nuk do ta hedhin votën e tyre në kuti, ashtu siç kanë vepruar edhe të shtunën. 

***

Në kërkim të votës së 80-të për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente e Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje sot do të provojë të sigurojë votën e deputetit Adem Hoxha nga Partia Unike e Goranëve (Jedinstvena Goranska Partija).

Burime të medias bëjnë të ditur se sot në orën 15:00 në Prishtinë do të mbahet takimi i kryeministrit dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti me Adem Hoxhën, për të siguruar votën e këtij të fundit për Vjosa Osmanin.

Sipas burimeve të sigurta edhe të shtunën ishte mbajtur një takim mes Hoxhës dhe Kurtit, por nuk ishte arritur marrëveshja, që ky deputet të marrë pjesë në seancën ku do të votohej për presidentin e Kosovës, pasi Kurti nuk kishte ofruar asgjë në kompensim për votën.

Ende nuk dihet se cilat janë kërkesat konkrete, por mësohet se kërkesat e kreut të partisë së goranëve për ta dhënë votën për kandidaten për presidente janë modeste dhe kanë të bëjnë me disa poste në kabinetin qeveritar.

Duke e konsideruar si të mjaftueshme votën e Hoxhës, mësohet se LVV nuk do ta kontaktojë deputetin Fadil Gashi nga Iniciativa Rome.

Ndryshe, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur sot se janë në bisedime me disa deputetë, të cilët sipas saj kanë pasur një vullnet më të mirë që të marrin pjesë në votimin e presidentes dhe gjithashtu pret që edhe dy deputetët nga pakicat sot të marrin pjesë në seancë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat