Sfidat kryesore të qeverisë Kurti sipas analistëve

Aktuale

Sfidat kryesore të qeverisë Kurti sipas analistëve

Më: 10 prill 2021 Në ora: 21:00
Qeveria e Kosovës

Në Kosovë Grupi për Studime Juridike e Politike tha të shtunën se rimëkëmbja ekonomike nga pasojat e pandemisë COVID-19, në planin e brendshëm, dhe bisedimet me Serbinë, në planin e jashtëm, janë sfidat më emergjente të qeverisë së re të Kosovës, e cila sot është në ditën e 20-të të punës së saj.

Njomza Arifi nga ky grup, tha në një konferencë me gazetarë se veprimi i parë që pritet nga kjo qeveri është zbatimi i drejtë dhe transparent i paketës për rimëkëmbje ekonomike.

“Qeveria duhet po ashtu të bëjë një analizë të thellë të dëmeve të shkaktuara nga COVID-19 në të gjithë sektorët ekonomikë dhe të hartojë një plan që adreson nevojat e menjëhershme të sektorit privat”, tha zonja Arifi.

Kosova është aktualisht nën masa kufizuese në përpjekje për të frenuar zgjerimin e infektimeve, ndërsa është e fundit në rajon që ka filluar procesin e vaksinimit me dozat e dhuruara nga programi COVAX. Qeveria ka paralajmëruar hartimin e politikave që do të siguronin vaksinimin e mbi 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit, si dhe të masave për rimëkëmbje ekonomike.

Zonja Arifi tha se për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, qeveria duhet të punojë fort për vendosjen e sundimit të mirëfilltë të ligjit.

“Në aspektin e sundimit të ligjit mbetet thelbësore të reformohet i tërë sistemi i rekrutimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve e prokurorëve, përmes ndryshimit dhe fuqizimit të mekanizmave ekzistues, si dhe një fokus i veçantë duhet vënë në miratimin e ligjit për konfliktet administrative që është bazë për rregullimin e drejtësisë administrative në vend”, tha ajo.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike e Politike tha se krahas sfidave në rrafshin e brendshëm, qeveria duhet t’i trajtojë seriozisht bisedimet me Serbinë.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me njohje juridike të parezervë duhet të jetë qëllimi final i vendit. Kemi paraqitur këtu disa parime kryesore mbi të cilat duhet të zhvillohet ky proces, e para qeveria duhet të përpiloj një platformë shtetërore mbi dialogun që përcakton parimet, objektivat dhe temat e bisedimeve. E dyta, konsensusi i përgjithshëm politik duhet t’i paraprijë marrëveshjes finale”, tha ajo.

Zonja Hoxha tha se qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji të qartë që i kundërpërgjigjet, siç tha, fushatës së ashpër të Serbisë për mosnjohje të Kosovës.

Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. Të dyja shtetet ndodhen në një proces aktualisht të pezulluar bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që ka paralajmëruar se së shpejti do të organizojë një takim ndërmjet udhëheqësve të të dyja vendeve, në një kohë kur qeveria udhëhiqet nga Albin Kurti, i cili në disa raste ka theksuar se bisedimet me Serbinë nuk do të jenë përparësi e punës së tij./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat