VOA: Kosovë, opozita kritikon ashpër qeverinë lidhur me pandeminë

Aktuale

VOA: Kosovë, opozita kritikon ashpër qeverinë lidhur me pandeminë

Më: 12 prill 2021 Në ora: 19:16
Foto ilustrim

Partitë opozitare në Kosovë kritikuan të hënën kryeministrin Albin Kurti dhe subjektin e tij lëvizjen Vetëvendosje për përfshirje në fushatën zgjedhore në Shqipëri, duke lënë anashkaluar situatën e rënduar me pandeminë COVID-19 në Kosovë.

Kritikat e opozitës pasuan përfshirjen e disa ministrave të qeverisë së Kosovës dhe deputetë të lëvizjes Vetëvendosje gjatë fundjavës në fushatën zgjedhore në Shqipëri në një kohë kur Kosova është nën masa shtrënguese për frenimin e përhapjes së COVID-19.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një postim në llogarinë e tij në Facebook se “marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri nga kryeministri, ministrat e deputetët e tij, në kohën kur 80 bashkëqytetarë në javë vdesin në Prishtinë, tregon papjekuri dhe papërgjegjësi”.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në një konference me gazetarë i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të heq dorë nga fushata e zgjedhjeve në Shqipëri dhe të merret me punët e Kosovës.

“Që nga dita kur Albin Kurti është bërë kryeministër në Kosova janë shënuar 14 mijë e 986 raste të reja me COVID-19. Fatkeqësisht vetëm në këto 20 ditë, 212 qytetarë kanë humbur jetën në betejë me këtë virus. E vetmja gjë që kryeministri ka marr deri më tash ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës për derisa ministrat dhe deputetë e partisë së tij e kanë çarë këtë rrethim dhe kanë dal në Shqipëri për të bërë fushatë”, tha zoti Tahiri.

Por, qeveria e Kosovës tha se gjatë fundjavës ka diskutuar qëllimet strategjike të saj, objektivat si dhe përballjen me pandeminë. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu i tha Zërit të Amerikës se “qeveria ka ndërmarrë masat e reja kundër Covid-19, në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe gjatë ditëve në vazhdim do të shihen efektet e tyre në parandalimin e rasteve të reja me virus”.

Kosova tashmë ka filluar vaksinimin e qytetarëve të moshës mbi 80 vjeçe, por ka numër të paktë vaksinash AstraZeneca, 24 mijë doza të së cilës i mori në kuadër të programit COVAX. Pjesa tjetër e dozave të zotuara për Kosovën nga ky program pritet të mbërrijnë deri në muajin maj. Partitë opozitare po kritikojnë qeverinë e Kosovës për mungesë të strategjisë për të siguruar vaksina të reja në një kohë kur vendi po përballet me shkallë ende të lartë të prekurve nga koronavisuri.

Të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi 8 raste të vdekjes në 24 orët e fundit nga pasojat e virusit dhe 345 raste të reja të të infektuarve. Këto të dhëna e çuan në afër 2 mijë numrin e atyre që tashmë kanë humbur jetën nga COVID-19./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat