Murati priti në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë

Aktuale

Murati priti në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë

Më: 13 prill 2021 Në ora: 14:20
Pamje nga takimi

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog mbajtën një takim njoftues ku u diskutua për agjendën zhvillimore të Qeverisë, me theks të veçantë në ristrukturimin e skemave sociale, luftimin e informalitetit dhe krijimin e Fondit Sovran.

Ministri Murati po ashtu e njoftoi Ambasadorin e Bashkimit Evropian  për masat që do të ndërmerren për luftimin e efekteve negative të pandemisë në ekonominë e vendit, dhe për ndihmën që do t’i ofrohet sektorit privat në këtë drejtim nga Qeveria me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës dhe shëndetit ekonomik të vendit.

Gjatë takimit u theksua edhe plotësimi i kushteve për disbursim të Mbështetjes Makro-Financiare dhe Mbështetjes Sektoriale Buxhetore të ofruar nga BE-ja për Kosovën. Të dy përfaqësuesit e institucioneve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për implementim të reformave strukturore ekonomike, si dhe për mbështetje drejt zbatimit të projekteve infrastrukturore të përbashkëta, siç është Rehabilitimi i Termocentralit Kosova B.

Kurse ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomáš Szunyog e njoftoi Ministrin Murati për projektet e ndryshme të financuara nga Bashkimi Evropian dhe statusin e tyre, vlerësoi faktin se Qeveria ka objektiva zhvillimore të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në fusha të interesit të përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat