Lushaku: Përfitimet nga dialogu mund të rriten, Kurti s’duhet ta rrezikojë dialogun duke e bojkotuar

Aktuale

Lushaku: Përfitimet nga dialogu mund të rriten, Kurti s’duhet ta rrezikojë dialogun duke e bojkotuar

Më: 14 prill 2021 Në ora: 21:43
Jehona Lushaku

Jehona Lushaku, ligjëruese e Integrimeve Evropiane, vlerëson se Kosova nuk ka fuqi t’i rezistojë kërkesës ndërkombëtare për të mos dialoguar.

Lushaku tha se është edhe në interes të qytetarëve që çështjet e mbetura peng nga Ish-Jugosllavia të zgjidhen për shkak të së mirës së përgjithshme.

“Disa herë dialogu po shtyhet për shkak të mos stabilitetit të brendshëm dhe nevojës për zgjedhje që e kanë prolonguar gjithë procesin”.

“Absolutisht nuk mendoj që Kosova ka një fuqi që t’i rezistojë kërkesës ndërkombëtare për të mos dialoguar. Besoj që është edhe në interesin e qytetarëve por edhe të rajonit që çështjet që kanë mbetur peng nga shpërbërja e Jugosllavisë të zgjidhen për shkak të së mirës së përgjithshme në kuptimin e prosperiteti, integrimeve Evropiane dhe mos të harrojmë që dialogu është ankoruar në dokumente zyrtare që e definojnë rrugën e Ballkanit Perëndimor për në Bashkimin Evropian”.

“Të gjitha dokumentet strategjike të integrimit evropian e parashikojnë këtë dhe dinamika është kërkuar që të jetë edhe më e shpejtë. Po ashtu në bazë të raporteve të ndryshme ndërkombëtare është identifikuar se shumë moszhvillime në Kosovë janë të ndërlidhura me dialogun dhe po të zgjidhej njëherë e mirë çështja mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte progresi shumë më i lehtë dhe më i shpejt”, tha Lushaku.

Lushaku tha se është në favor të dialogut teksa theksoi se kryeministri, Albin Kurti, nuk duhet ta rrezikoj dialogun duke e bojkotuar.

“Unë jam në favor të dialogut dhe mendoj që secili që është në qeveri tash edhe Vetëvendosje përkundër faktit që nuk e deklaron si prioritet dialogun do të jetë e shtyre për shkak se do ta sheh që edhe politikat e brendshme – por edhe zhvillimi ekonomik varen në një masë të madhe nga zgjidhja përfundimtare me Serbinë”.

“E kuptoj si diskurs të një njeriu që dëshiron të arrijë të maksimizojë kërkesën e tij kundrejt Serbisë. Por, mendoj se zotëri Kurti nuk duhet ta rrezikojë dialogun duke rezistuar dhe duke e bojkotuar dialogun për shkak se është diçka që Kosova duhet ta ketë parasysh që ka interes permanent që të mos e bojkotojë dialogun dhe të mos jetë ajo pala që nuk shkon në dialog. Ne e dimë nga e kaluara se çka kanë pësuar shtetet duke mos dialoguar prandaj nuk ka asnjë arsye për të mos dialoguar”, tha Lushaku.

“Është tjetër pastaj se me çfarë strategjie, me çfarë mjete, kush dialogon dhe cilat janë vijat tona të kuqe që të shtrojmë kërkesat tona edhe në kontekstin e dialogut edhe në raport me Amerikën edhe në raport me BE-në sepse ky nuk është vetëm një dialog me Kosovës dhe Serbisë – por është shumë mirë që të rriten kërkesat tona edhe kundrejt Bashkimit Evropian por edhe ndaj Amerikës në kuptimin e kërkesave legjitime që mund t’i ketë Kosova”.

Opinionistja theksoi se Kosova duhet të marrë sa më shumë nga BE-ja për problemet që ka – por se kjo bëhet me më shumë punë sesa është bërë deri tani.

“Është shumë mirë që Kosova të merr sa më shumë nga Bashkimi Evropian për problemet që ka pasi ka asistencë të madhe dhe vetëm duhet të jemi kreativ në shtrimin e kërkesave – e këtu duhet të punojmë shumë pikërisht në duhet të formohen ekipe dhe duhet shumë më shumë punë intezive sesa ka qenë deri tash. Mendoj se mund të rriten përfitimet edhe nga dialogu” u shpreh Lushaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat