Ministria deklarohet për vendosjen e bazës ushtarake të FSK-së në Mitrovicë

Aktuale

Ministria deklarohet për vendosjen e bazës ushtarake të FSK-së në Mitrovicë

Më: 14 prill 2021 Në ora: 22:16
FSK

Tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe ngritja e kapaciteteve të saj vazhdon të jetë ndër proceset më të rëndësishme të shtetit të Kosovës.

Bujë të madhe së fundi bëri vendimi që Mitrovica e Jugut pati për ndarjen e një trualli për ushtrinë e Kosovës, në mënyrë që të ndërtohet  një bazë ushtarake në vendin e quajtur ‘Kodra e Cërrnushës’.

Vendi në fjalë është konsideruar si pikë strategjike, për shkak se shihet qartë e gjithë Mitrovica.

Por janë pikërisht serbët që një lëvizje të tillë e kanë konsideruar si provokim.

Për këtë u deklarua edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili tha se stabiliteti dhe paqja do të ruhen në Kosovë, por se nëse ekziston rreziku serioz ose kërcënim për popullin serb “serbët nga Kosova dinë gjithçka”.

Ndërsa Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri i bëri thirrje Vuçiq-it që të tërheqë deklaratën e tij dhe të punojë për njohjen e Kosovës, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund t’i shërbejë vendit të tij dhe tërë rajonit.

Lidhur me gjithë këtë, media ka kontaktuar Ministrinë e Mbrojtjes të cilët kanë deklaruar se një gjë e tillë veçse është vendosur më 26 mars 2021 në kohën kur Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka miratuar vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës së njohur si ‘Kodra e Cërrnushës’’ në shfrytëzim afatgjatë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Kjo hapësirë me vite është përdorur si poligon trajnimi për Forcën e Sigurisë së Kosovës. E reja është se tash kjo ka kaluar në pronësi të FSK-së dhe do të përdoret për nevojat trajnuese për rritjen e kapaciteteve operacione të saj”, u tha në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

E pikërisht për ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së, presidentja e vendit Vjosa Osmani së fundi ka zhvilluar një takim me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe Komandantin e FSK-së, Rrahman Rama.

Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e realizimit të planit të tranzicionit sipas standardeve të NATO-s si dhe realizimin e synimit strategjik të Kosovës që të bëhet anëtare e kësaj aleance.

Që nga formimi i FSK-së, në fund të vitit 2020 ishte hera e parë që pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës u nisën drejt misionit të parë paqësorë jashtë vendit, përkatësisht në Kuvajt.

Kontigjenti i FSK-së të cilët shkuan drejt Kuvajtit tashmë janë pjesë e Gardës Kombëtare të Ajovas. Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e cila ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.

FSK-ja pritet që të ofrojë mbështetje në operacionet paqëruajtëse në regjionin e Komandës Qendrore amerikane. Ndryshe më 2018 përmes ndryshimeve ligjore nisi edhe transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura, proces ky që pritet të zgjasë 10 vite.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat