Deputeti Avdyli paralajmëron qeverinë: Duhet të angazhohet maksimalisht, ose na pret kolapsi

Aktuale

Deputeti Avdyli paralajmëron qeverinë: Duhet të angazhohet maksimalisht, ose na pret kolapsi

Nga: N. H Më: 16 prill 2021 Në ora: 18:06
Kuvendi i Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë me dije se kriza në Kosovë do jetë e dyfishtë pasi që ai tregon se qytetari jo vetëm që do vuajë pasojat ekonomike të pandemisë, por do rrisë shpenzimet për blerjen e barnave.

Ai shprehet se qeveria e re duhet angazhohet maksimalisht që ta përmirësojë këtë situatë përmes veprimeve konkrete, pasi që, sipas tij, na pret kolapsi si sistem shëndetësor, dhe dështimi si shtet.

Ja shkrimi i tij:

Buxheti i aprovuar për vitin 2021 kishte reduktuar shumë projekte infrastrukturore e investime tjera me qëllim që ky buxhet të ridestinohej në luftimin e pandemisë. Por lajmi i sapopublikuar nga MSH flet se buxheti për barna për këtë vit ishte përgjysmuar .

Nga kumtesa e Msh merret vesh se Buxheti i alokuar për Programin farmaceutik të MSh-së dedikuar për furnizim të institucioneve shëndetësore me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale për vitin 2021 është 5,5 milion euro, ndërsa ai i vitit 2020 ka qenë 11,5 milion euro.

Kjo tregon që kriza do jetë e dyfishtë sepse qytetari jo vetëm që do vuajë pasojat ekonomike të pandemisë, por do rrisë shpenzimet për blerjen e barnave. Shumë qytetarë kanë mbetur pa punë, bizneset s’kanë punuar apo punuar pak, e Covidi por edhe sëmundjet tjera kanë shtuar shpenzimet për ta . E shteti në vend që rrisë buxhetin për përballimin e shpenzimeve mjekësore duke lënë disa projekte si autostradat, e shpenzime qeveritare, ka reduktuar edhe buxhetin për barna që normalisht do duhej të rritej.

Ne tani rrezikojmë që në 6 mujorin e fundit të mos kemi asnjë qindarkë për barna e furnizime mjekësore.

Sipas këtij buxheti qytetarëve tanë do iu ofrojmë vetëm muret, shtretërit e spitaleve dhe kujdes shëndetësor, por me të gjitha shpenzime të dalura xhepi tyre. E mos të flasim për ndonjë ndihmë financiare për mbulimin e shpenzimeve te trajtimeve shtëpiake për Covid.

Qeveria e re duhet angazhohet maksimalisht që ta përmirësojë këtë situatë përmes veprimeve konkrete urgjente që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm i institucioneve shëndetësore të nivelit parësor (QKMF-ve) dhe spitalet me barna e materiale tjera shpenzuese duke gjetur burime financiare emergjente por edhe duke rishikuar sa më shpejtë buxhetin e pakuptimtë të aprovuar në fund vitin e 2020. Ose na pret kolapsi si sistem shëndetësor, dhe dështimi si shtet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat