Gjini: Qeveria po tenton të krijojë rrugë të shkurtra me gjyqësorin

Aktuale

Gjini: Qeveria po tenton të krijojë rrugë të shkurtra me gjyqësorin

Më: 20 prill 2021 Në ora: 00:16
Ardian Gjini

Numri dy i AAK-së, Ardian Gjini, ka kritikuar nismën e Qeverisë për hartimin e ligjit për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Gjini në një intervistë në Interaktiv, tha se Qeveria po tenton të krijojë rrugë të shkurtra me gjyqësorin, duke u shndërruar në palë.

Ai tha se ky ligj nuk mund të kalojë, pasi do të ketë reagime sipas tij në vend dhe nga shtetet demokratike.

“Nëse e kemi një ligj që është në harmoni me shumicën dërrmuese të legjislacionit në BE, dhe ligji nuk ka funksionuar, janë dy rrugë: ndoshta ka defekt në ligj ose në sistem, por nuk janë procese të shpejta. Më kryesorja, me çfarëdo veprimi që ka implikime ligjore nëse qeveria provon përmes një agjencie me e shndërru ekzekutivin në palë, në vendime gjyqësore, atëherë kemi probleme serioze. Ekzekutivi nuk mundet me u shndërru në palë, aq më tepër me marrë vendime që i takojnë gjyqësorit. Çfarëdo lloj vendimi, çfarëdo cenimi të çfarëdo të drejte, nëse e cenon të drejtën edhe të kriminelit, atëherë shkelën parimet kushtetuese”, ka thënë Gjini.

Ai pranoi se jo gjithmonë kanë funksionuar mirë prokuroria dhe gjyqësori, por e sheh të panevojshme një nismë të tillë, sipas tij në këtë formë.

“Unë mendoj se më mirë është me u marrë me këtë problem, cilat janë problemet strukturale, nëse ka, dhe cilat janë problemet subjektive, e jo me vepru me rrugë e lidhje të shkurtra, me provu me dëshmu që po duam të luftojmë korrupsionin duke e ngatërruar rolin e ekzekutivit me atë të gjyqësorit. Është problem serioz. Do të ketë reagime, jo vetëm prej shoqërisë civile, jo vetëm prej organizatave që kanë pasur monitorim të ligjit e rendit e që nuk janë eksponentë politikë, por edhe të vendeve shumë demokratike”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat