Krejt çka i ndodhi Kurtit dje në Bruksel

Aktuale

Krejt çka i ndodhi Kurtit dje në Bruksel

Më: 29 prill 2021 Në ora: 10:19
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vazhdon të qëndrojë në Bruksel në vazhdën e takimeve që janë paralajmëruar të mbahen. Në ditën e parë në Bruksel, Kurti njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë,  i paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

“Dialogu duhet të përgatitet mirë dhe të bazohet në parime të qarta”, shtoi Kurti, duke neglizhuar deklarimin e Borrellit i cili ditë më parë deklaroi se dialogu pritet të vazhdojë më 11 maj.

Kurti gjatë ditës së djeshme foli për herë të parë edhe për letrat “non-papers”, që u publikuan në media, që lidhen me zgjedhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor.

“Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-papers’ është më së miri t’iu përgjigjemi me ‘no comment’ (pa koment) sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë në kohë që nuk dihet autori dhe synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës”, tha Kurti.

Kurti tha se Kosova duhet të shkojë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe se raportet në “Ballkan mund të rregullohen vetëm më dialog parimor”.

Takimet zyrtare të Kurtit në Bruksel me dy zv/kryeministrat, Donika Gërvallën dhe Besnik Bislimin, kanë nisur dje, prej kur mori mandatin në krye të Qeverisë.

Kreu i Qeverisë fillimisht pati takim me kryeministrin belg, Aleksandar De Croo, i cili tha se ka pasur një “takim të mirë, të parë” me Kurtin dhe me të ka diskutuar për agjendën e reformave në gjyqësorin e Kosovës, për rimëkëmbjen ekonomike, procesin e vaksinimit, por edhe për aspektin evropian dhe atë trans-atlantik.

Delegacioni i Kosovës dje u takua edhe me Komisionarin evropian për Bujqësi dhe Zhvillim rural Janusz Wojciechhowski, atë për Drejtësi Didier Reynders, Komisionaren për Energji Kadri Simons, për Ekonomi dhe Financa Paolo Gentiloni dhe nënkryetarin ekzekutiv të Komisionit Evropian për Ekonomi Valdis Dombrovskis.

Kurti po ashtu pati takim edhe me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasolli.

Ai tha se në këtë takim e ka ripërsëritur mbështetjen e fuqishme të shtetit të tij për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga BE-ja.

Sot Kurti do t’i ketë takimet me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe me Përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat