Ja si u ekzekutua me breshëri plumbash deputeti në hyrjen e banesës/ Letra enigmë e Smajl Hajdaraj…

Aktuale

Ja si u ekzekutua me breshëri plumbash deputeti në hyrjen e banesës/ Letra enigmë e Smajl Hajdaraj…

Më: 2 maj 2021 Në ora: 19:49
Ibrahim Rugova dhe Smajl Hajdaraj

Në emisionin “Autokton” të gazetares Anila Ahmataj, u trajtua ekzekutimi makabër i Smajl Hajdaraj, ish-deputet dhe drejtues i UÇK-së

Nga angazhimi atdhetar deri te ai politik! Kush ishte Smajl Hajdaraj, Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ish- deputet në kuvendin e Kosovës!

Kishte nisur te trokiste era Rugoniane. Është era e lirisë së këtyre trojeve, lagur me gjakun e dëshmorve të luftës. Sëbashku me Shpëtimin, kishim nisur një rrugëtim të gjatë, për të mësuar nëpërmjet rrëfimit të tij historinë e fisit Hajdaraj,të cilët e deshën kaq shumë atdheun saqë as jetën nuk e kursyen. Kishim mbrritur në majën 1500 m mbi nivel deti, është një ditë e acartë dëbore, ku trashësia e saj i kalon 1,5-m. Jemi në token autoktone të Smajlit, që sot në këtë ditë do ta kishte zili këtë liri që gëzon kjo tokë, për të cilën mohoi jetën!
Origjina e herëshme e “Hajdarajve” dhe rrjedha e jetës së tyre!

Origjina e herëshme e këtij fisi është nga Hoti i Malsisë së Madhe nga Dedë Gjo Luli, ku pas disa vrasjeve qe u bënë të cilat ishin tepër te ashpra ky fis u largua nga fshati. Fillimisht ishin tre vëllezër të cilët u shperngulen ne Rugovë. Vëllai i parë që mbante emrin Nika, që janë sot Hajdarajt u vendos në fshatin Dugaivë, Pllunci ishte vëllai tjetër, i cili u vendos në Malsinë e Rozhajes, ndërsa vëllai tjetër Broçi u vendos në fshatin Shtupeq.

Familja Hajdaraj nga të gjitha regjimet kishte përjetuar tmerre e masakra të mëdha. Në periudhen e grupeve kaçake burrat e Familjes Hajdaraj ishin pjesë e levizjes, por pas ardhjes së Mbretërisë Jugosllave shumica në marrëveshje më pushtetin u dorëzuan dhe moren rehabilitim për mos ndjekje të mëtejshme nga pushteti. Burrat e këtij fisi, për disa kohë nuk u kthyen të lirë në shtepi sepse kishte indikacione që do burgoseshin. Pushteti asaj kohe perdori metoden e dhënies së “besës” që burrat të dorezoheshin në stacionin policor, nga ku aty u premtua se nuk do ndodhte asnjë e keqe. Ata e besuan këtë dhe shkuan, mirpo policia kishte përgatitur një kurth, duke i çarmatosur, arrestuar dhë të nesërmen i ekzekutuan.

Mes të vrarve ishte Ademi, Hajdari, Myftari dhe Çun Feku,nipi i tyre që nuk ndahej nga dajat e vetë asnjëherë. I vetmi që mbeti ishte Rekë Smajli babai i Arifit. Arifi lindi në vitin 1920 dhe mbeti jetim në moshën 6-vjeçare .Kjo shtëpi e këtij fisi mbeti vetëm më një djal dhe dy vajza Arifin, Zaken Shaten,dhe më Hyken Gjyshen e Arifit.

Kur Arifi u rrit u martua më Hyren, me të cilën lindën 5-fëmijê, Ademin, Haken, Fatimen, Smajlin dhe Fazliun. Pikërisht këtu nis edhe rrugëtimi historik i “HAJDARAJVE”.

Kur njëri prej djemve, Fazliu ishte 6- muajsh, i ati, Arifi u burgos për shkak të veprimtarive më karakter kombëtar dhe u dënua me burg, përsëri shtëpia mbeti e vetme pa burra. Arifi ishte vendosur në burgun famëkeq të Goli-Otokut bashkë më Haxhi Zekë Byrdinen, me Sylë Mehmetin, Ali Hysin, Cufe Sokolin, Bajram Ramen, Adem Arifin e shumë të tjerë. Edhe pas lirimit kjo familje ishte e përjashtuar nga gjithçka, mirpo Arifi pas u lirua krijoj autoritet të madh jo vetëm në Rugovë por edhe në gjithë Kosovën.

E thërrisnin Arif Reka.

Një nga djemt e tij që u ekzekutua pabesisht dhe barbarisht ishte Smajli, i cili u lind dhe u rrit në një konak në fshatin Dukajevë, të krahinës së Rugovës.

Në trungun autokton familjar, Smajli u edukua dhe përfitoi një edukatë morale dhe atdhetare që në fëmijëri. Në moshën gjimnaziste u shqua në disa veprime, siç ishte sigurimi dhe shpërndarja e literaturës, te shokët e tij, e cila për regjimin përbënte një veprim kundër pushtetit. Për këtë , për rrjedhën familjare dhe sjelljet e tij të dyshimta, kishte shumë telashe me pushtetin.

Karriera politike e Smajl Hajdarit!

Smajl Hajdaraj ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë. Rugovasit dhe bashkëluftëtarët e tij e përshkruajnë atë, si një njeri trim dhe shumë atdhetar . Idrizi një nga bashkëluftëtarët e tij, rrëfen momentet e përbashkëta.Ai thotë se Smajli ishte një luftëtar i cili kërkonte me doemos që trojet të ishin të lira, ashtu siç janë sot.

Smajl Hajdaraj punoi si mësimdhënës në Shkollën Teknike “Shaban Spahia”, në Pejë, nga viti 1977-të deri ne vitin 1979-të
Ishte viti 1990, kur ai ishte i pari që u largua nga puna, pasi ishte themelues dhe kryetar i Sindikatës të Pavarur në ish organizatën punuese “Elektrokosova” në Pejë. Gjithashtu në një mandat 4- vjeçar ishte edhe kryetar i kësaj organizate për të gjitha distribuimet e Kosovës.

Nga bisedat e kryera me banorë të krahinës së Rugovës, rezulton se Familja Hajdaraj për një shekull ka rezistuar,madje është përgjakur, duke dëshmuar atdhetarinë e saj. Po kështu Smajli, në rrjedhë të traditës familjare, është shquar si një punonjës shkencor, kuadër drejtues dhe komandant i luftës së UÇK-së në gjithë krahinën e Rugovës.

Ka shumë ngjarje ku njerëz besnik apo bashkëluftëtar, të Smajlit, rrëfejnë çaste dhe momente vështirsie në luftimet apo organizimet, për ti bërë ballë okupatorit serb, që kishte tentuar të rrethonte krahinën e Rugovës.

Rrugëtimi i stafit “Autokton” me djalin e Smajlit, Shpetimin, ishte emblematik, pasi ai rrëfeu kalvarin e gjatë të një jete të mbushur plot patriotizëm dhe momente vështirësie të babait! Ai pohoi se jeta e sotme në fshatin Dukajevë, është një e shkuar e lavdishme e prindërve të shumë fëmijëve sot, të cilët jetojnë në trojet e tyre të lire e pa rrezik.

Por nga ana tjetër, jeta politike dhe përfshirja e Smajlit në politikë ishte një vullnet dhe dëshirë e atyre banorve që sot e kujtojnë veprën e tij me nostalgji.

Roli i Smajl Hajdaraj në Lëvizjen Demokratike të Kosovës!

Smajli ishte një nga anëtarët e LDK-së që nga themelimi i saj, kryetar i Aktivit në Vendlindje,Sekretar i Nëndegës për Rugovën deri në vitin 1997, pastaj kryetar i Nëndegës të Lidhjes Demokratike të Kosovës për Rugovën. Komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës, kryeshef i Operatives në Brigadën 136 “Rugova”. Në zgjedhjet e para lokale, të pas luftës, zgjidhet deputet i Asamblesë komunale në Pejë, e ndërsa më vonë deputet në Parlamentin e Kosovës. Por familja “Hajdaraj”ka dhene nje kontribut të madh për vendin, ashtu edhe i vëllai i Smajlit, Prof. Dr Adem Hajdaraj , njeri i punës dhe patëriot, punonjës në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, pjesëmarrës në Seminaret Nderkomtare të Gjuhës Shqipe,por ai ishte edhe nje veprimtar i Lidhjës Demokratike të Kosovës dhe gjenerat e Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova, njëherazi deputet i Parlamentit të Kosovës dhe nënshkrues i Pavarësisë.

Smajli nuk ishte i vetëm në gjithë rrugëtimin, vëllai i tij Fazli Hajdari, diplomat i suksesshëm rrëfeu kujtimet e përbashkëta dhe vështirësitë politike, të cilat shumë familjar u detyruan të qëndrojnë larg viseve të tyre.

Smajl Hajdaraj, Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Krahinën e Rugovës!

Smajl Hajdaraj ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë,i cili u nderua me Dekoratën “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe me medaljen e Artë të Pavarësisë nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

“Enigma e Ekzekutimit”

Familjarët pohojnë se Smajli u vra nga grupet kriminale, pasi ai ishte shtyllë e fortë dhe njeriu më i afërt i Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova. Smajli u vra më 17 -Janar, datë që përkon me vrasjen e vëllezerve Jusuf e Bardhosh Gervalla e Kadri Zeka. Në hollin e hyrjes së banesës së tij në Pejë, ishte bërë një pritë. Smajli po kthehej nga një ditë pune e zakonshme, por nuk e dinte që ajo mbrëmje do të ishte e fundit për të. Ashtu lirshëm hyri në korridorin e banesës por breshëri plumbash u shkrepën mbi të… Ishte momenti dhe pamja e fundit që do të shikonte….

Smajl Hajdari para se të largohej nga kjo botë, sikur i kishte paraprirë gjërat, ai kishte lënë një letër ku rrëfente brenda saj shumë momente të cilat as familja nuk i dinte më pare. Ai flet brenda saj për luftën e UÇK-së, çlirimin e Kosovës dhe grupin që pengonte organizimin ushtarak të asaj kohe.Familja e konsideron si testamentin e fundit që ruajnë nga familjari i tyre, mirëpo a ka qenë ky paralajmërimi i Smajl Hajdarajt para se të ekzekutohej?

“Letra e Smajlit”

“Nuk jam hamendur fare por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare”
“Mendoj se këto të vërteta dhe këto punë nuk duhet të harrohen nga askush, jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës-qëllim yni i tanishëm”

Ismail Hajdaraj Ish -Komandant i Shtabit Rajonal të UÇK-së për Rugovë….

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat