Ibrahim Kelmendi dhe Izet Haxhia akuzojnë me emra: Këta persona janë vrasësit e Ilir Konushevcit

Aktuale

Ibrahim Kelmendi dhe Izet Haxhia akuzojnë me emra: Këta persona janë vrasësit e Ilir Konushevcit

Nga: P.R Më: 9 maj 2021 Në ora: 21:33
Ilir Konushevci ishte vrarë bashkë me Dr. Hazir Malën në Qafë Mali afër Bajram Currit, më 9 majit të vitit 1998.

Sot janë bërë 23 vite që nga vrasja e ish ushtarit të UÇK-së, Ilir Konushevci, i cili ishte vrarë bashkë me Dr. Hazir Malën në Qafë Mali afër Bajram Currit më 9 majit të vitit 1998.

Vrasja e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës ka mbetur ende e pazbuluar.

Por në të kaluarën, të paktën dy persona kanë drejtuar gishtin drejt atyre, që ata thonë se janë vrasësit e Ilir Konushevcit.

Është ish truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia dhe ish udhëheqësi i LPK-së, Ibrahim Kelmendi, që me emra kanë përmendur personat që, sipas tyre janë vrasësit e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Izet Haxhia kishte akuzuar Bislim e Agim Demirin se kishin vrarë Ilir Konushevcin.

“Autorët e vrasjes së Ilir Konushefcit dihen kanë qenë vëllezërit Bislim e Agim Demiri dhe disa të afërm të tyre. Bislim Demiri ka qenë një bashkëpunëtor i njohur i UDB-së serbe që në kohën e embargos ndaj Jugosllavisë, kohë kur ky person hynte e dilte lirshëm ne Kosovë duke bërë kontrabandën e naftës, por e rëndësishme është të dihet se kush ishin urdhëruesit e kësaj vrasje. Ilirin kam pasur fatin ta takoj tek kulla e Haklajve në vitin 1998 dhe në bisedë e sipër, ai i zemëruar tha se ose do më vrasin ose do t’i vras ata në Tiranë dhe kishte fjalën për grupin e “Rognerit” të cilët po i nxirrnin njëmijë pengesa në furnizimin me armë të luftëtarëve në front të UÇK-së. Si duket grupi i Rognerit u tregua më i shpejtë me ndihmën e Klosit dhe e eliminuan këtë luftëtar te madh, patriot e të ndershëm te Kosovës”, kishte deklaruar Izet Haxhia në intervistën dhënë gazetës “Bota sot”.

Se Bislim Demiri ishte vrasësi i Ilir Konushevcit, kishte thënë edhe Ibrahim Kelmendi, ish udhëheqës i LPK-së.

Ai në një dëshmi të tij dërguar Gjykatës Speciale, akuzonte Xhavit Halitin dhe Azem Sylen se e kanë paguar Demirin për vrasjen e Konushevcit.

“Për ta zhbërë Sektorin e logjistikës, Xhaviti e Azemi, si komplotistë të rryer, duhet ta kenë bërë planin për eliminimin fizik të Ilirit, për çka duhet të kenë marrë OK nga eprorët e tyre. Për bindjen time të deritanishme, Xhaviti dhe Azemi e kanë paguar kriminelin Bislim Demiri, që ishte i afirmuar në Tropojë (në Veri të Shqipërisë) për vrasje me pagesë. Krimineli Demiri ishte shofer i shefit të Policisë, Jonuz Hyka, në Bajram Curr. Bislimi, bashkë me vëllain e tij, Agimin, dhe dy-tre shokë, siç kanë rrëfyer njerëz mirë të informuar, më 9 maj 1998, në Qafë të Malit, në rrugën Fushë Arrëz - Bajram Curr, i kanë zënë pritë Ilirit, cili po dërgonte sasi të madhe të armëve dhe municionit në Tropojë, prej ku do të futeshin ilegalisht në Kosovë. Ilirin e kanë shoqëruar mjeku tropojan Hazir Mala, një oficer i SHISH-it dhe dy ushtarakë të Gardës së Shqipërisë, siç ka rrëfyer para pak kohe i mirëinformuari Xhavit Haliti”, shkruante Ibrahim Kelmendi në dëshminë e tij dërguar Gjykatës Speciale.

E në kujtim të vrasjes së Ilir Konushevcit, publicisti dhe ish-gazetari nga që raportoi vazhdimisht për luftën e Kosovës, Rexhep Shahu ka treguar se cila ka qenë pyetja, që sipas tij ia mori jetën Konushevcit.

“Si është e mundur që armët që blihen për shembull, 3 dollarë këtej në Shqipëri, të shiten 6 dollarë në Kosovë… Më konkretisht fjala ishte për granatat e dorës, për arkat e mbushura me granata. 3 marka blihej një granatë nga Iliri dhe ata që ishin të ngarkuar të blinin e të sillnin armë për luftën në Kosovë. Këto granata dikush ua shiste luftëtarëve në Kosovë nga 6 marka copa… Ky lajm që mbërrin në veshët e Ilirit e shqetëson atë dhe ai e ngre këtë problem në një mbledhje në Krumë. Dhe me të drejtën e atij që ishte i zoti i punës për armët, ai pyeti në atë mbledhje, si është e mundur të shiten armët dyfish, të shiten granatat dyfish… Kjo pyetja që bëri Ilir Konushevci në një mbledhje në Krumë të Hasit, mendohet se ia mori jetën”, ka shkruar ndër tjerash Rexhep Shahu, përcjellë “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat