​Fillon vaksinimi i personave mbi 65 vjeç, Bardhi: Nesër nuk do të ketë vaksinime

Aktuale

​Fillon vaksinimi i personave mbi 65 vjeç, Bardhi: Nesër nuk do të ketë vaksinime

Më: 12 maj 2021 Në ora: 13:57
Niman Bardhi

Këtë të mërkurë ka filluar vaksinimi i personave mbi moshën 65-vjeç, me prioritet ata persona që janë regjistruar në platformën e-Kosova.

Vetëm në orët e paradites së kësaj të mërkure në qendrën e vaksinimit në Prishtinë, përkatësisht në sallën “1 Tetori” vaksinën antiCOVID-19 e kanë marrë 750 persona. kështu bëri të ditur koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi.

Në konferencën për media Bardhi tregoi edhe se deri më tani janë rreth 5 mijë persona të cilët janë vaksinuar me vaksinë Pfizer, ndërsa 30 mijë të tjerë kanë marrë vaksinën AstraZeneca.

Bardhi: 750 persona u vaksinuan vetëm paraditen e sotme

“Sot është dita e parë me radhë për grup moshën mbi 65 vjeç duke u bazuar gjithmonë mbi aplikimin që kanë bërë këta të moshuar në platformën online e-Kosova por veç asaj edhe ata që nuk kanë mundur të aplikojnë për t’u regjistruar. Të gjithë këtë fluks të kësaj kategorie e kemi sot në sallën ‘1 Tetori’ aktualisht deri në këto çaste të vaksinuar vetëm gjatë ditës së sotme janë rreth 750, ndërsa nëse i referohemi numrit total jemi tek 5 mijë në vaksinim sa i përket vaksinës Pfizer. Ndërsa nëse flasim për totalin nga dita e parë e vaksinimit me AstraZeneca nga 29 marsi e sot atëherë kemi rreth 30 mijë vaksina të aplikueshme", tha ai

Në Kosovë aktualisht ka dy lloje të vaksinave, AstraZeneca dhe Pfizer, për cka Bardhi tha se të dy vaksinat po jepen paralelisht.

Bardhi: Ato sasi të vaksinave që do t’i kemi, ato do t’i përdorim

"Të gjitha vaksinat që do të jenë në dispozicion qoftë Pfizer apo AstraZenca me ato sasi që i kemi ne do t’i zbatojmë pa dallim që të shkojmë në radhë të parë me këtë apo me këtë, ato do të shkojnë në të njëjtën kohë paralelisht ato që janë ato do të ofrohen", tha ai.

Nesër personat e interesuar për vaksinim nuk mund të vaksinohen pasi që është ditë feste. Ndësa, Bardhi tregoi edhe se nga e premtja grup mosha mbi 65 vjeç të rajoneve të tjera të Kosovës mund të vaksinohet në QKMF-të e komunave të tyre.

Bardhi: Nga e premtja të moshuarit mund të vaksinohen nëpër komuna

"Duke e ditur që është ditë feste, dhe e dimë që edhe vet popullata është më e përkushtuar mbi bazën e kremtimit të Fitër Bajramit atëherë ka dalë vendimi që[...]nesër do të jetë ditë e lirë por nga e premtja prapë do të vazhdohet...në informatën e nxjerrë nga ministria e Shëndetësisë është që të gjitha QKMF në nivel vendi do e zbatojnë vaksinimin e kësaj kategorie andaj bëjë apel tek të gjitha kjo kategori mbi 65 që të orientohen pastaj në komunat e veta dhe mos të marrin drejtimin drejtë sallës ‘1 Tetori’”, tha ai

Në orarin e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për orarin e vaksinimit kundër COVID-19, të premten nga ora 8:00-19:30 do të vaksinohen personat mbi 65 vjeç, me prioritet personat e regjistruar në e-Kosova, në sallën “1 Tetori”, Prishtinë dhe në QKMF-të në të gjitha komunat

Gjithashtu edhe të shtunën do të vazhdohet me të njëjtin orar për vaksinim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat