A u bë ndokush për spital pasi ia teproi me bakllavë e ëmbëlsira? Flasin nga Emergjenca e QKUK-së

Aktuale

A u bë ndokush për spital pasi ia teproi me bakllavë e ëmbëlsira? Flasin nga Emergjenca e QKUK-së

Më: 14 maj 2021 Në ora: 00:15
Foto ilustrim

Sot shumëkush mund t’ia ketë tepruar me bakllava dhe ëmbëlsira.

Por, dikush edhe ia pa sherrin ngrënies së këtyre ushqimeve që janë tradicionale për festën e Bajramit e gati nuk mungojnë në asnjë shtëpi.

Mjekja kujdestare në Klinikën Emergjente në QKUK, Vjollca Haklaj, tha se ka pasë qytetarë që kanë kërkuar edhe ndihmë shëndetësore.

“Ka ndikuar më shumë te pjesa internistike ku vijnë më tepër pacientët me hipertension, diabet, sëmundje të zemrës, apo probleme me lukth, por ajo që është vërejtur më tepër ka qenë pjesa e reanimacionit ku përfshihen aksidentet”, tha ajo.

Megjithatë, numri më i madh i atyre që shkuan në Emergjencë ishte si pasojë e aksidenteve të shumta që kanë ndodhur sot.

“Si çdo ditë feste edhe sot numri i pacientëve ka qenë dukshëm më i madh në orët e pasdites, derisa në orët e paradites ka qenë fluks më i vogël i pacientëve. Fluksi ka filluar në orën 12:30, derisa vazhdon edhe tani pasi e kemi të mbushur me pacientë pjesën e Reanimacionit dhe ajo Internistike”.

“Pacientët që kërkojnë më tepër ndihmë, si në çdo ditë feste edhe sot, janë nga aksidentet që janë në numër të shumtë duke përfshirë të gjitha rajonet, por sot me numër më të madh të aksidenteve kanë qenë Prishtina, Podujeva, Fushë Kosova dhe komunat e tjera”.

Haklaj ka thënë se personat që kanë kërkuar ndihmë në Emergjencë kanë qenë me lëndime të lehta, të mesme dhe ato më të rënda, por fatmirësisht nuk është shënuar asnjë vdekje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat