Kush u bë “mollë sherri” në përplasjen e tij me Agim Bahtirin? Flet drejtori i shkarkuar

Aktuale

Kush u bë “mollë sherri” në përplasjen e tij me Agim Bahtirin? Flet drejtori i shkarkuar

Më: 17 maj 2021 Në ora: 11:27
Ismet Ferizi

Kryetari i Komunës së Mitrovicës ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Arsimit, Ismet Ferizin.

Lajmi se është shkarkuar nga kjo detyrë e ka konfirmuar vet Ferizi.

Ai thotë se të premten i është kumtuar gojarisht lajmi nga Agim Bahtiri se është shkarkuar nga detyra, por që deri më tani nuk ka marrë vendim me shkrim.

“Deri më tani nuk kam marrë vendim, por të premten më është kumtuar gojarisht lajmi nga Agim Bahtiri se nuk jam më drejtor i Arsimit”, tha ai.

Ferizi ka treguar edhe arsyet e shkarkimit të tij.

“Mollë sherri” ndërmjet Bahtirit e Ferizit u bënë emërimet e drejtorëve në shkolla.

Sipas drejtorit të shkarkuar, kryetari Bahtiri nuk është pajtuar me emërimet që ka bërë Komisioni vlerësues.

“Të premten më ka thënë je i shkarkuar për shkak të mospajtimeve që kemi pasur, për shkak të emërimit të drejtorëve. Komisioni i përzgjedhur nga kuvendi i drejtuar nga unë e ka bërë një përzgjedhje dhe në bazë të asaj përzgjedhje të kritereve të konkursit më tej unë e kam dërguar raportin të kryetari dhe ai nuk ka qenë i pajtimit me emrat e përzgjedhur mandej mendon që unë jam ai që nuk e kam menaxhuar siç duhet, ose nuk i kam zgjedhë kandidatët e duhur.  Unë nuk i kam zgjedhur, por komisioni”, tha ai.

Ferizi tha se Agim Bahtiri ka kërkuar emra të tjerë të drejtorëve në këto pozita dhe nuk është pajtuar me ata për të cilët ka vendosur Komisioni.

“Unë e kam bërë më të mirën, por si duket këto konfliktet qenkan të pashmangshme, e kam respektuar komisionin , udhëzimin administrativ dhe raportet por siç duket nuk janë përshtatur dhe kanë ardhur deri të shkarkimi”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat