VOA: NATO qetëson Serbinë për trupat kroate në Kosovë

Aktuale

VOA: NATO qetëson Serbinë për trupat kroate në Kosovë

Më: 17 maj 2021 Në ora: 20:38
Vuçiç dhe Stoltenberg

NATO-ja u përpoq të hënën të zbuste shqetësimet e Serbisë lidhur me vendosjen e trupave kroate në Kosovë, duke theksuar se ato u bindeshin të njëjtave rregulla si të gjitha trupat e tjera të forcës paqeruajtëse të KFOR-it.

"Të gjitha trupat e dërguara nga aleatët e NATO-s dhe vendet partnere për operacionin tonë në Kosovë veprojnë nën ... një kornizë të përkufizuar mirë, e cila përcaktohet nga rezoluta 1244 e OKB-së," u tha gazetarëve sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Bruksel.

Zoti Vuçiq është shprehur i zhgënjyer rreth një njoftimi të Kroacisë se ajo do të dërgojë më shumë trupa në Kosovë si pjesë e KFOR-it, sipas medias. Serbia dhe Kroacia ishin vende armike gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në fillimin e viteve 1990.

Zoti Vuçiç e quajti qetësues takimin me zotin Stoltenberg në selinë e NATO-s në Bruksel.

"Gjithçka që është bërë deri më tani nën mandatin e Kombeve të Bashkuara nga forcat e NATO-s është mbështetur mjaft nga të gjitha palët, dhe shpresojmë që të mbetet e tillë," tha ai.

Zoti Stoltenberg theksoi se nuk ishte planifikuar asnjë ndryshim në misionin e KFOR-it, i cili u krijua në vitin 1999 dhe sot numëron rreth 3,500 trupa.

"Aleatët e NATO-s janë plotësisht të përkushtuar ndaj KFOR-it dhe misionit të tij të rëndësishëm," tha sekretari i përgjithshëm Stoltenberg, duke shtuar se trupat e NATO-s janë në Kosovë për të mbrojtur të gjitha komunitetet dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat