Mediat serbe raportojnë për forca të shtuara afër manastireve, flasin nga Policia e Kosovës

Aktuale

Mediat serbe raportojnë për forca të shtuara afër manastireve, flasin nga Policia e Kosovës

Më: 27 maj 2021 Në ora: 18:28
Manastiri i Deçanit

Mediat serbe të enjten gjatë ditës kanë raportuar se Policia e Kosovës ka shtuar forcat në afërsi të manastiereve, për shkak të sulmeve të shpeshta, sipas tyre, që po bëhen në këto objekte. Media ka pyetur në Policinë e Kosovës rreth këtyre raportimeve, të cilët kanë thënë se në vazhdimësi përkujdesen për Objektet e Trashëgimisë Kulturore e Fetare.

Mediumi serb “Kosovo online” sot ka publikuar një artikull ku pretendohet se forcat e policisë së Kosovës janë shtuar pranë Kishave Ortodokse.

Lajmi i njëjtë më pas është cituar nga disa mediume të tjera në Serbi.

Në këtë artikull theksohet se gjatë këtij viti janë shënuar rreth 13 raste të dëmeve të shkaktuara në afërsi të këtyre objekteve fetare.

Megjithatë, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditura edhe statistikat e sulmeve që kanë ndodhur në këto objekte fetare si dhe në të tjera.

Siç shihet në statistikat që i ka siguruar media gjatë këtij viti kanë ndodhur gjithsej 11 raste në objekte fetare ortodokse, ku nëntë prej tyre janë klasifikuar si “vjedhje” dhe dy si “dëmtim i pasurisë”.

Në objektet katolike nuk ka pasur asnjë sulm, ndërkaq në ato myslimane kanë qenë rreth 23 vjedhje, tri vjedhje në tentative, dhe dy dëmtime të pasurisë”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rastet pranë këtyre objekteve kanë të bëjnë më shumë me vjedhje.

“Këto janë kryesisht dëmtime të vogla materiale në ndërtesa që nuk kanë personel fetar gjatë gjithë kohës. Shumë dëme të objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare shkaktohen gjithashtu në raste të vjedhjes në tentativë ose gjatë kryerjes së vjedhjes”, kanë thënë nga policia.

Në fund, zyra për informim e këtij institucioni ka bërë të ditur në vazhdimësi kujdesen për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjes së Objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare.

Megjithatë, nga Policia nuk kanë konfirmuar se ka shtim të forcave në afërsi të objekteve fetare ortodokse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat