Pozhari i thotë me emra: Këta janë 4 ministrat e suksesshëm dhe 4 ministrat e dështuar të qeverisë Kurti 2

Aktuale

Pozhari i thotë me emra: Këta janë 4 ministrat e suksesshëm dhe 4 ministrat e dështuar të qeverisë Kurti 2

Nga: A.Zh Më: 29 maj 2021 Në ora: 15:43
Xhevdet Pozhari

Gazetari Xhevdet Pozhari, ka thënë se Qeveria Kurti erdhi si rrjedhojë e dëshpërimit të thellë qytetar me qeverisjet në të kaluarën.

Ai ka thënë se personalisht kishte përkrahur ndryshimin, shkaku i shpresës së të rinjve. Por, Pozhari ka thënë se ai do ta kritikojë këtë qeveri edhe në bazë të këndvështrimit të pritjeve të rinisë në vend.

Ai ka renditur 4 ministrat e suksesshëm dhe 4 ministrat e dështuar të qeverisë Kurti 2, të emëruar nga vet kryeministri Kurti.

Të suksesshëm sipas Pozharit, janë ministrat: Arben Vitia, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla. Ndërsa, të dështuar, ai i sheh këta ministra: Artanë Rizvanollin, Rozeta Hajdarin, Faton Pecin dhe Liburn Aliun.

Shkrimi i plotë i Pozharit në Facebook:

4 ministrat e suksesshëm dhe 4 ministrat e dështuar të qeverisë Kurti 2

Qeveria Kurti erdhi si rezultat i punës thuajse dy dekadëshe të aktivsitëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe si rjedhojë e dëshpërimit të thellë qytetarë me qeverisjet në të kaluarën. Kritika ndaj kësaj Qeverie e cila e ka shumicën e votave në parlament përkufizohet kryesisht në një emër të vetëm – ndaj kryeministrit Albin Kurti. Dhe, këtu është edhe thelbi i dështimit të një kritike përmbajtësore.

Personalisht, mbi të gjitha, e kam përkrahur ndryshimin shkaku i shpresës së të rinjve të cilët filluan ta shohin Kosovën si vendbanim të përkohshëm, sikur të ishte “banesë me qira”. Edhe kritikën do ta bazoj nga këndvështrimi i tyre, i pritjeve rinore, e jo nga optika e partive opozitare që thuajse janë të obsesionuara me një emër të vetëm – Albin Kurti.

Fillojmë me rend, se cilët janë 4 ministrat e suksesshëm dhe 4 ministrat e dështuar të qeverisë Kurti 2. Në këtë përzgjedhje nuk hyjnë ministrat minoritarë, por ata të cilët vetë kryeministri Kurti i ka emëruar.

Ministrat e suksesshëm:

1. Arben Vitia

Në prag të 100 ditëve, nuk do mend se suksesin më të madh kjo Qeveri e arriti me sigurimin e 1 milion e 213 mijë dozave të vaksinave anti-Covid. Në këtë periudhë pandemie, padyshim se emri i Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia do të ishte më i lakuari. Ndonëse kishte marrë veprime konkrete të reformave në sistemin shëndetësor, opinioni kërkonte vaksinat dhe lirimin sa më të shpejtë të masave. Arben Vitia rezistoi me sukses ndaj presionit. Veproi ashtu siç do të sillej një mjek i ndërgjegjshëm, me durim sanoi procesin e vonuar të sigurimit të vaksinave dhe u përkushtua që të shpëtoj sa më shumë jetë, gjë që u përkthye edhe me shifra konkrete të rasteve ditore. Sigurisht, ai ishte edhe ministri më i sulmuar, jo pse nuk e kryente punën e tij, por ngaqë sukseset eventuale të tij e dobësonin edhe më tej zërin edhe ashtu të dobësuar opozitar.

2. Arbërie Nagavci

Ishte emri më i sulmuar në fillim të emërimit në krye të Ministrisë së Arsimit. Kryesisht në opinion ishte krijuar përshtypja se ajo nuk mund të menaxhonte me problemet e shumta të arsimit që konsiderohet si një prej shtyllave kryesore të shtetësisë. Ky skepticizëm, me gjasë, e rriti dozën e angazhimit të ministres Nagavci. Që nga fillimi i karrierës së saj politike, ajo u sfidua seriozisht me procese politike të natyrave të ndryshme dhe çdo gjë e arriti me mund dhe përkushtim. Nuk pati të dhuruar asnjë pozitë! Sot ajo mbetet ministrja më aktive e Qeverisë Kurti. Në ekipin e saj janë dy zv/ministra të shkëlqyer që mund të japin kontributin e tyre në rafshe të ndryshme në fushën e arsimit. Është ministrja që ia “theu turinjtë” kryetarit të SBASHK-ut si dhe riktheu në shkollë 411 nxënës nga fshatrat e Kamenicës.

Që nga fillimi i punës së saj ajo u tregua e shkathtë për të siguruar fonde për ngritjen e cilësisë në arsim dhe veçanërisht në përmirësimin e kapaciteteve të arsimit profesional dhe përshtatjes me tregun e punës.

3. Hekuran Murati

Ministri Murati natyrshëm mbetet ndër emrat më të atakuar nga opozita. Kuleta e shetit në kohë pandemie e vështirëson edhe më shumë pozicionin e tij. Mirëpo, përkundër kësaj, Murati në 100 ditët e para dëshmoi se din të jetë menaxher i mirë veçanërisht në situata krize. Ai arriti me sukses ta përballë sfidën e parë të manipulimit me shtesat e penzionistëve, ndërsa së fundmi nënshkruajti edhe marrëveshjen për kredi shtesë në vlerë prej 25 milionë euro me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, që do të mbulojë shpenzimet e luftës ndaj pandemisë. Heqja e pagesës së homologimit është një tjetër meritë e tij.

4. Donika Gërvalla

Emri më i përfolur në 100 ditët e para të qeverisë Kurti është ai i zëvndëses së tij dhe udhëheqëses së diplomacisë së Kosovës. Natyrshëm secili veprim i saj monitorohet kujdesshëm. Pavarësisht presionit, me një kulturë ndryshe nga të tjerët, ajo arriti të tejkalojë sfidat e para të sulmeve të njëpasnjëshme në një mjedis që nuk e ka për gajle që edhe heronjt t’i shpallë tradhtarë kur në pyetje është interesi politik. Barra e të gjitha akuzave të LDK-së në të kaluarën drejtuar qarqeve të dyshuara si të involvuara në vrasjet e veprimtarëve të kësaj partie, rëndoi mbi supet e saj. Ajo arriti ta tejkalojë suksesshëm gjë që vë në shprehje edhe aftësitë e saj prej diplomateje, madje edhe në rastin kur opozita krijoi situatë për konfrontim fizik. Përkundër kësaj, ajo zbatoi ligjin e shkelur të emërimit të ambasadoreve dhe stafit diplomatik dhe paralajmëroi reforma rrënjësore në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ministrat e dështuar:

1. 100 ditët e para të Qeverisë Kurti nuk ishin kreative për ministren e ekonomisë, Artanë Rizvanolli. Ndonëse kjo pozitë iu dhurua një kuadri të përgatitur dhe të shkolluar në universitete prestigjioze, emri i saj vazhdon të mbetet anonim njëjtë siç ishte në fillim. Aktivitetet e vobekta, një herë në dy javë, e bëjnë atë të klasifikohet si kryedështakja e Qeverisë Kurti.

2. Rozeta Hajdari ishte një emër i cili zgjoi reagime të fuqishme në qeverinë Kurti 1. Ajo u vu në krye të sfidave dhe u cilësua si menaxhere e guximshme për të marr vendime. Por, në qeverinë Kurti 2, “e morrën msysh”! Ajo nuk duket gjëkundi. Pritshmëritë e mëdha që krijoi ranë nën hije tani kur ajo është ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

3. Faton Peci, është një tjetër emër në qeverinë Kurti 2 që nuk shquhet për ndonjë angazhim konkret. I zëshëm në procese politike dhe debate me opozitën, bujqit do të duhet të shpresojnë se kryeministri Kurti do të shtojë presionin mbi këtë ministër i cili pavarësisht se ka ardhur pranvera, ende vazhdon të përkundet në letargjinë e gjumit dimëror.

4. Liburn Aliu renditet në mesin e emrave nga të cilët pritshmëritë kanë qenë më të mëdha. I zëshëm me vite të tëra në parlamentin e Kosovës, i pakompromis si drejtor në Komunën e Prishtinës, pozita e ministrit duket se e ka zënë të papërgatitur në këto 100 ditët e para të qeverisjes Kurti. Si aktivist shembullor i Vetëvendosjes, është pritur që të jetë kryefjala e sukseseve të qeverisë Kurti. Mirëpo, këtë “zanat”- të menaxhimit, deri më tani më shumë ka dëshmuar se e din zv/ministri Hysen Durmishi i cili është shfaqur i prerë me vendime. Prandaj, në këto rrethana, nëse Liburn Aliu do të vazhdojë të mos jetë në nivelin e detyrës, kryeministri Kurti do të sfidohet edhe me mundësinë e lirimit të tij nga detyra. Veçanërisht në këtë vit të zgjedhjeve lokale kur Liburn Aliu mund të jetë kandidat ideal për Prishtinën, aty ku e ka dëshmuar veten me punën e i tij. Si ministër, thjeshtë nuk është i gatuar! Dhe me shumë gjasë nëse vazhdon të jetë në krye të ministrisë do të jetë një prej hallkave më të dobëta të qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat