E plotësuar (19:16): Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot se procesi i dialogut në Bruksel duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo gjatë një takimi me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ripërsëritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.
Për më tepër, presidentja Osmani theksoi çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces.
"Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme,” tha Osmani.
Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përqendruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore të institucioneve të vendit.
Ajo falënderoi SHBA dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne. Ajo shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave, dhe shprehu shpresën se edhe SHBA do të ndajë një numër të vaksinave për qytetarët tanë.
***
Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sapo ka shkuar në Presidencë të Kosovës.
Ata do të priten nga e para e këtij institucioni, Vjosa Osmani.
Pas kësaj ata pritet që të zhvillojnë takim edhe me Kryeministrin Albin Kurti.
Të martën ata është planifikuar që të dalin në konferencë për media lidhur me vizitën e tyre dyditore në Prishtinë.