Komisioni për Punë të Jashtme takoi një delegacion nga Parlamenti i Austrisë

Aktuale

Komisioni për Punë të Jashtme takoi një delegacion nga Parlamenti i Austrisë

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 16:06
Pamje nga takimi

Komisioni për  Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga  Haki Abazi, kryetar, priti sot përfaqësues nga Parlamenti i Austrisë.

Kryetari i komisionit, Abazi, në fillim të takimit miqve austriakë u uroi mirëseardhje dhe i falënderoi ata për vizitën, ndërkaq, në vijim i njoftoi për fushëveprimtarinë dhe angazhimet e komisionit.

Duke folur për miqësinë Kosovë - Austri, Abazi vuri në spikamë bashkëpunimin e kalitur ndër vite ndërmjet dy popujve. Ai me këtë rast vuri theksin tek ndihma që Austria i ka ofruar Kosovës gjatë rrugëtimit të saj drejt pavarësisë, e më pas edhe në përpjekjet e saj për integrim në strukturat euro-atlantike. Duke shprehu mirënjohejn e tij, Abazi tha se Kosova nuk do të resht asnjëherë për thellimin dhe ruajtjen e raporteve miqësore me shtetin mik Austrinë dhe popullin e saj.

 Përfaqësuesi i delegacionit austriak, z. Martin Engelberg, pasi falënderoi komisionin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, shprehu interesimin lidhur me zhvillimet në Kosovë, duke përfshirë edhe çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai, sikurse  znj. Carmen Jeitler, kryetare e Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë të Parlamentit të Austrisë, siguroi anëtarët e Komisionit se Austria do të jetë përherë krah Kosovës deri në arritjen e plotë të aspiratave të saj.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, miqtë austriakë këshilluan nikoqirët se rruga e vetme që dërgon rajonin në stabilitet të plotë, është ajo e pajtimit ndërmjet popujve.

Anëtarët Komisionit, Xhavit Haliti, njëherësh nënkryetar i Komisionit, Dimal Basha dhe Time Kadrijaj, shfaqën opinionet e tyre lidhur me interesimin e mysafirëve, ndërkaq, kërkuan mbështetje të mëtejme nga shteti austriak, me theks të veçantë lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Anëtarët e komisionit, vlerësuan se takimi i sotëm do të ndikojë që opinioni i gjerë austriak do të njihet me realitetin në Kosovë dhe  aspiratat euro-atlantike të saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat