Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u ka shprehur ngushëllime të gjithë personave që kanë humbur familjarët e tyre në aksidente trafiku.
Mehmeti në një konferencë për media tha se në rritjen e aksidenteve në trafik ka ndikuar periudha pas mbylljes për shkak të pandemisë COVID-19 teksa tha se kjo rritje nuk po ndodh vetëm në Kosovë por edhe në vende tjera.
“E kemi një situatë të papranueshme dhe një situatë që është e keqe. Ka qenë një javë shumë e rëndë ku brenda një dite i kemi humbur katër anëtarët e një familje”.
“Pas një analize të Policisë së Kosovës t’i shohim shkaktarët dhe cilat janë arsyet që kemi një rritje të aksidenteve të trafikut teksa ka disa vjet që në Kosovë po përballemi me një fluks të madh të aksidenteve të trafikut e që po janë edhe shkaktare të humbjes se jetës së qytetarëve”.
“Studimet e bëra kanë treguar se periudha pas “lock down” ka pasur rritje të numrit të aksidenteve jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet tjera. Mirëpo periudha pas mbylljes ka ndikuar që ka edhe rritje të rasteve të dhunës, qofte të vrasjes, qoftë dhunimit. Vozitja agresive ka ndikuar në rritjen e aksidenteve”.
Mehmeti bëri të ditur se për të parandaluar aksidentet në dy operacione kanë angazhuar të gjitha njësitet e Policisë së Kosovës.
“Aktualisht Policia e Kosovës është me dy operacione aktive ku njëri operacion ka të bëjë me kyçjen e të gjitha mjeteve të motorizuara posaçërisht motoçikletave të cilat dhe gjatë javës së kaluar i kemi konfiskuar mbi 120 skutera nëpër qytetet e Kosovës”.
“Ndërsa në aspektin e përgjithshëm është një operacion në të gjithë Kosovën i cili ka nisur nga java e fundit e muajit maj dhe në këtë operacion janë të kyçura të gjitha njësitet e trafikut të kombinuara edhe me njësitet e reagimit të shpejt me qëllim të parandalimit dhe të mos kemi raste ku tre ose katër persona e humbin jetën në trafik janë kyçur edhe njësia speciale”, u shpreh Mehmeti.
Mehmeti mes tjerash bëri të ditur se që nga 1 janari e deri në ditën e djeshme, Policia e Kosovës ka shqiptuar mbi 170 mijë gjoba të trafikut teksa paralajmëroi edhe digjitalizimin e trafikut në Kosovë.
“Janë edhe disa masa afatmesme që do të ndodhin në ditët në vijim, siç është iniciativa për ndryshimin e ligjit për sigurinë e komunikacionit rrugor. Policia ka propozu që përgjegjësia të kalojë nga vozitësit përkatësisht shoferit, te pronari i automjetit, për shkak se kjo na mundëson kontrollën digjitale të komunikacionit rrugor”.
“Digjitalizimi i trafikut do të thotë se do ketë gjoba edhe pa e ndaluar personin. Mundësitë digjitale janë që gjobat të shqiptohen pa u ndaluar personi. Në radhë të parë janë tejkalimi i shpejtësisë. Ne i kemi filluar projektet dhe jemi duke punuar që sa më shpejtë t’i kemi këto mjete. Një projekt tjetër është edhe kontrolli i automjeteve të kryhet përmes skuterëve. Ne jemi duke punuar edhe në ndryshimin e gjobave. Duhet të diskutojmë që gjobat pas aksidenteve me fatalitet janë të mjaftueshme”, ka thënë ai.
Ndërsa, Drejtori i Divizionit të Komunikacionit rrugor Nënkolonel, Jeton Rexhepi, bëri të ditur se aksidente fatale në vitin 2019 kanë qenë 31 derisa këtë pjesë të vitit janë 42.
37 persona kanë vdekur në vitin 2019 ndërkaq 50 janë këtë vit.