Pas deklaratës së ambasadorit Kosnett për Asociacionin, flet Isa Mustafa

Aktuale

Pas deklaratës së ambasadorit Kosnett për Asociacionin, flet Isa Mustafa

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 18:31
Isa Mustafa

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-shefi i Qeverisë, Isa Mustafa, ka komentuar deklaratën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka thënë se Kosova e ka detyrim që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Mustafa në një prononcim, ka thënë se Asociacioni është detyrim që rrjedhë nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013, e ratifikuar me Ligj me votat e 2/3 të deputetëve, atëkohë, si Marrëveshje Ndërkombëtare.

Tutje, ish-kryeministri u shpreh se edhe Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin e saj, ka konstatuar se kjo Marrëveshje e vitit 2013, duhet të zbatohet.

“Është detyrim që rrjedhë nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013 e ratifikuar me Ligj me votat e mbi 2/3 të deputetëve si Marrëveshje Ndërkombëtare. Edhe Gjykata Kushtetuese me Aktgjykim, ka konstatuar se kjo Marrëveshje ( e vitit 2013) duhet të zbatohet”, deklaroi Mustafa.

Mes tjerash, Mustafa theksoi se Qeveria Kurti ose duhet ta anulojë Ligjin mbi ratifikimin e Marrëveshjes së parë, ku sipas tij, parashihet themelimi i Zajednicës së Vetëvendosjes (kur ishte në opozitë) dhe tani të Asociacionit (kur është në pushtet), apo ta implementojë atë.

“Tani Qeveria ose duhet ta anulojë Ligjin mbi ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, ku parashihet themelimi i Zajednicës së VV-së ( sa ishte në opozitë) e tani Asociacionit, (kur është në pushtet) ose ta implementojë”, tha Mustafa.

Gjithashtu, ish-shefi i LDK-së, Mustafa, ka thumbuar Lëvizjen e Vetëvendosjen, duke thënë se tani “trimat e dhunës e kanë fjalën”, duke aluduar për protestat që partia e Albin Kurtit, i kishte bërë ndër vite për të kundërshtuar Asociacionin.

“Ambasadori Kosnett në emër të SHBA-së po thotë se duhet ta implementojë, sepse si e mora vesh po i thotë që historia s’ka filluar me ty ( as nuk mbaron me ty). Tani trimat e dhunës e kanë fjalën”, tha ai.

Minuta më parë, Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett deklaroi për një medium serb se Kosova e ka detyrim që ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ai tha se historia nuk ka nisur në ditën kur u formua Qeveria Kurti 2.

“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë… Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, tha Kosnett.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat