Reagon ministrja Haxhiu, tregon a po e shkarkon Qeveria kryeprokurorin Lumezi

Aktuale

Reagon ministrja Haxhiu, tregon a po e shkarkon Qeveria kryeprokurorin Lumezi

Nga: A.Zh Më: 17 qershor 2021 Në ora: 16:41
Albulena Haxhiu dhe Aleksandër Lumezi

(E plotësuar 17:10) - Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka demantuar lajmin se Qeveria është duke planifikuar shkarkimin e kryeprokurorit të Shtetit Aleksandar Lumezi.

Ajo ka thënë se zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit do të bëhet vitin e ardhshëm dhe kjo nuk është në mandatin e Qeverisë, por të Këshillit Prokurorial.

Demantin e lajmit ministrja Haxhiu e ka bërë në një postim në Facebook, përcjell Bota sot.

Postimi i saj i plotë:

Reagim

Prej kohës kur kam pranuar detyrën, unë dhe kabineti im kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me mediet sepse respektojmë dhe vlerësojmë lartë rolin që mediet kanë në shoqëri.

Nuk ka pasur asnjë rast të vetëm që nuk jemi përgjigjur në pyetjet që janë drejtuar dhe që lidhen me mandatin tonë si Ministri.

Sot, në portalin Insajderi, po qarkullon një lajm i pavërtetë që kinse Qeveria është duke planifikuar shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi.

Zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit bëhet vitin e ardhshëm dhe kjo nuk është në mandatin e Qeverisë por të Këshillit Prokurorial.

Nëse portali Insajderi nuk e tërheqë këtë lajm të pavërtetë dhe nuk kërkon falje atëherë ne do të rishqyrtojmë bashkëpunimin tonë me këtë portal.

Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e mirë dhe profesional me të gjitha mediet të cilat respektojnë standardet profesionale dhe etike të punës.

***

Sot gjatë ditës është raportuar se pritet shkarkimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Tani është hartuar deri në detaje plani për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi dhe zgjedhjen e një kryeprokurorit të ri.

Burimet kanë zbuluar se tashmë shumica e anëtarëve të Këshillit Prokurorial janë rreshtuar në krahë të Qeverisë Kurti, përkatësisht të ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut, për të pasur vota të mjaftueshme për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi.

Këto kombinime pritet që në ditët ose javët në vazhdim të iniciohet shkarkimi i kryeprokurorit të Shtetit, siç ka ndodhur me shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka dhe siç po pritet shkarkimi i avokatit të Popullit, Naim Qelaj, i cili pritej që të dërgonte rastin e Dakës në Gjykatën Kushtetuese.

Këto burime kanë treguar se pjesa më e madhe e anëtarëve të Këshillit Prokurorial kanë pasur takime të fshehta me drejtues të qeverisë të Vetëvendosjes, për ta realizuar shkarkimin e kryeprokurorit.

Për të gjitha këto zhvillime tashmë janë të njoftuar edhe shtetet anëtare të QUINT-it në Kosovë.

Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti, kohë më parë pati deklaruar se në momentin kur të vijë në pushtet, do të shkojë Aleksandër Lumezi, ndërsa në vend të tij do të vijë Elez Blakaj.

“Le të ecë Lumezi që të kthehet Elezi”, kishte thënë Kurti.

Sot media ka raportuar se Qeveria Kurti pritet ta iniciojë procesin e shkarkimit edhe ndaj avokatit të Popullit, Naim Qelaj.

“Arsye pse pritet ta bëjnë një gjë të tillë është mundësia që ai ta dërgojë rastin e Valdete Dakes në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit u shkarkua nga presidentja, Vjosa Osmani”, thuhet në artikullin e Insajderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat