Rreziqet e dialogut/ Vuçiqi nuk është lider i Serbisë që të marr përsipër...

Aktuale

Rreziqet e dialogut/ Vuçiqi nuk është lider i Serbisë që të marr përsipër...

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 13:13
Aleksandar Vuçiq

Aleksander Vuçiç, sipas të gjitha gjasave, nuk është lideri i Serbisë që ka marrë përsipër t’ja largojë popullit dhe vendit të vet ngërçin me Kosovën.

Këtë ai e ka provuar që në vitin 2014 kur u bë Kryeministër, e deri më sot që është President.

Në tërë përpjekjen e tij tashmë 9-vjeçare, Vuçiç, ka ngulitur në mendjen e njerëzve që e përkrahin, se ai nuk do ta heqë Kosovën nga Kushtetuta serbe pa marrë një pjesë të saj, apo të ngulë në Kosovë një pjesë Serbie.

Faktet e dialogjeve që prej 9 viteve e vërtetojnë këtë logjikë.

Pra, Vuçiç, konfliktin që është shumë i gjatë mes shqiptarëve dhe serbëve, e gjegjësisht mes Kosovës e Serbisë, jo vetëm e ka lënë të ngrirë, por ka dhënë një çmim për pazarin, pa e nxjerrë “mallin” në vitrinë, pra duke e lënë në frigorifer.

Gjatë kësaj kohe ai ka tentuar në shumë lëvizje që të bëjë edhe “të urtin” edhe “Skifterin”, edhe njeriun e dialogut, edhe të fortin siç bëri me trenin e frikshëm të prodhimit rus me mbishkrimin “Kosova është Serbi” që u nis për në Mitrovicën e Veriut.

Ishim më 17 Janar 2017, pikërisht 3 ditë para betimit të Donald Trump, ku administrata amerikane ishte në rotacion. Hashim Thaçi atëherë urdhëroi trupat e ROSU e gjendja nuk u agravua. Por fakt është se në atë ditë, trupat e KFOR-it nuk shkuan në Mitrovicën e Veriut për të ndalur një konflikt të madh të mundshëm.

Ishte Serbia që u tërhoq, për të treguar se është “qengji” në këtë rast e “ujku” është Kosova.

Por situata ishte edhe më e komplikuar se kaq dhe sot është edhe më e rrezikshme.

Pse? Në Kosovë, sot nuk ka më shumë se 3600 trupa, ndër të cilat forcat speciale për ndërhyrje të shpejtë janë karabinierët italianë, të cilët nuk ka garanci se mund të jenë të zellshëm të ndërhyjnë në një provokacion serb në kufijtë e Kosovës.

Dje në mëngjes, ndërsa bëhej dialogu Kurti-Vuçiç, ushtria serbe simuloi një stërvitje ushtarake, të quajtur “Rrufeja 2021”, ku i konturua një ndërhyrje ofensive, mbështetje, mbrojtje krahësh dhe mbulim të një kontigjenti prej 15 mijë trupash. E në veçanti, kjo stërvitje simuloi një operacion ujor me mjete amfibe, që mendja të shkon tek Liqeni i Ujmanit që mund të bëhet një inkursion i tillë. E nëse bëhet me ushtri, atëherë e vetmja përgjigje është që FSK të zërë pozicionet kufitare, pikërisht ku mund të pritet një “pushtim” serb, apo provokacija e radhës.

Kjo panoramë hyn në atë që mund të quhet si rrezik i dialogut final që duhet të përmbyllet para shtatorit mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në Korrik, ka gjasa të kemi një panoramë më të egër të Serbisë ndaj Kosovës, e në takimin e tretë të flitet më konkretisht. Pasi dihet, këto janë skema tashmë të njohura të formateve të tilla. Dje duhej promovuar Albin Kurti, i cili duhet thënë se e luajti shumë mirë pjesën e tij, në Korrik ka gjasa të kemi përgjigjen e Vuçiç, e në Shtator të vijmë te dialogu i vërtetë.

Po si do të jetë ky dialog? Sipas të gjitha gjasave, në terren, siç edhe është pritur, është të hyjë si SHBA, ashtu edhe Rusia. Logjikisht nuk ka gjasa që të mos pyetet Moska, apo të jetë aktor në ndarjen finale, apo siç po quhet ndarja e re.

Sot në Gjenevë, Biden dhe Putin diçka kanë vendosur, edhe pse pak do të flitet këto ditë.

E rëndësishme është të mos kapemi gafil, të rrimë ngushtësisht me SHBA është jetike, nuk ka rrugë tjetër, por edhe me Gjermaninë, e cila ka investuar miliona për integrimin shqiptar. Ka paguar sistemin e interkonjeksionit energjitik panshqiptar, i cili e nxjerr jashtë loje monopolin serbo-rus që e kanë pasur këtë treg strategjik.

Vuçiçit i nevojitet një fitore në terren me ushtrinë e tij “të fortë” e kot nuk ka shpenzuar miliarda euro. Kosova i ka të gjitha gjasat që të ndalojë çdo inkursion ushtarak apo provokacion të mundshëm, edhe vetëm, 3700 trupat e KFOR nuk do të mjaftojnë nëse plas lufta, por ata mund të shërbejnë si një “casuss belli” për një reagim të NATO-s.

Qëndrimi i djeshëm proaktiv i Albin Kurtit, nuk ka qenë për të bllokuar dialogun apo ndaluar kompromisin, por ka qenë për ta konturuar qasjen në një realitet të ri, që në fund të fundit është konkret dhe i zbatueshëm. Asociacioni që është pranuar nga Isa Mustafa në 2016-n është rrëzuar nga Kushtetuesja dhe nuk pranohet në Kosovë, nuk e pranojnë as amerikanët.

Të ishte pranuar do të zbatohej shpejt e shpejt, e nuk ka si të jetë ndryshe. SHBA nuk do Republika Srbska në Kosovë. Ka mbaruar ajo punë, thelbi është se dialogu do të çojë në një fund në Shtator që ka dy rrugë: ose Rusia do të ndalojë Serbinë për kompromis, ose Beogradi do të pranojë ta njohë më në fund Kosovën. Kjo e dyta është më e mundshme, pasi ka gjasa që Moskës i leverdis më shumë marrëveshja në Ukrainë dhe Nord Stream 2 sesa Serbia e Kosova.

Rusia ka nevojë për shumë para, që sot në këtë situatë nën sanksione prej vitesh i duhen edhe më shumë. Armët që përbënin shitjen kryesore pak vite më parë, nuk kanë më treg, gazi është rrezikuar nga gazi i lëngshëm amerikan që është gati të mbysë tregun e Evropës. Sipas të gjitha gjasave, Biden dhe Putin kanë arritur diçka për këtë.

Vetëm marrja pjesë e ajkës së ekspertëve nga palët, të çon në përfundimin se kemi të bëjmë me një lojë të madhe.

Delegacioni i zgjeruar amerikan përfshin, përveç Sekretarit të Shtetit të SHBA Anthony Blinken, Zëvendës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Politike Victoria Nuland, e cila është eksperte e Ukrainës ku ka qenë e dërguar Speciale, e NATO-s ku ka qenë Ambasadore, Ambasadorin e SHBA në Rusi John Sullivan, Drejtorin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për Rusinë Eric Green dhe Asistentin e Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan. Me një fjalë, njerëzit që janë gati të hartojnë drafte. Jemi përpara një marrëveshje të ngjashme si ajo Talbot-Cernomerdin përpara kapitullimit të Millosheviçit dhe marrëveshjes së Kumanovës.

Ndërkaq, delegacioni i zgjeruar rus përfshin, përveç Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, asistentin rus të Presidentit Yuri Ushakov, Zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov, Ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura ruse, Valery Gerasimov, Zëvendës/Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov, Zëvendës/Shefi i Shtabit Dmitry Kozak dhe Përfaqësuesi Special i Presidentit për Sirinë, Aleksandër Lavrentyev.

Që do të thotë, që SHBA dhe Rusia po bëjnë “Jaltën e Re”.

E në këtë logjikë, njohja e Kosovës nga Serbia është e mbyllur, jo më kot Vuçiç e përmend ditë për ditë. E për të përforcuar më tej këtë zhvillim, një Gjykatë serbe ka dënuar penalisht Çedomir Jovanoviçin, për të ndaluar një rritje të tij në zgjedhje.

Vuçiçit i vyen një sulm nga nacionalistët e ai të hiqet si liberal, duke u kërkuar amerikanëve dhe evropianëve se po më hoqët mua bëhet nami. Por në fakt, gjithçka do të varet nga takimi i Gjenevës.

Megjithatë, Serbisë do t’i jepet diçka në Kosovë. Zgjidhja është mes Asociacionit të Listës serbe dhe një Asociacioni që e ka edhe Rada Trajkoviçi me shokët e tij. Ose provokacija e “pushtimit të Ujmanit”, që më pas të konsiderohet si Lartësitë Golan apo Gaza, shkruan Pamfleti. Situata është më shpërthyese sa duket, ndaj kërkon në radhë të parë qartësi e unitet. E këtu Albini, duhet të mbledhë urgjentisht Opozitën e të formojë një ekip uniteti. Nëse ata nuk duan, ok, por ta flasë në publik, t’u tregojë njerëzve ato gjëra që mundet të bëhen publike…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat