​Rasti i Pjetër Shalës në Speciale, gjykata urdhëron prokurorinë të dorëzojë dosjen deri më 19 nëntor

Aktuale

​Rasti i Pjetër Shalës në Speciale, gjykata urdhëron prokurorinë të dorëzojë dosjen deri më 19 nëntor

Më: 21 qershor 2021 Në ora: 14:30
​Rasti i Pjetër Shalës në Speciale, gjykata urdhëron prokurorinë të dorëzojë dosjen deri më 19 nëntor

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, i cili po akuzohet për krime të pretenduara të luftës nga Prokuroria e specializuar në Hagë,gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri me 19 nëntor të dorëzojë dosjen paragjyqësore dhe materialet tjera të këtij rasti.

Gjyqtari tha se në parashtrimet e bëra me shkrim, ZPS-së ka deklaruar se ka ende disa hapa hetimor për të ndërmarrë por që sipas prokurorisë, kjo nuk ndikon në afatet e nxjerrjes së materialeve.

Prokurori: Përfundimi i hapave hetimor deri më 30 korrik

“Mendojmë përpara fundit të afatit të nxjerrjes së materialeve, 30 korrik, nëse nuk do të mundemi do të ju njoftojmë”, tha prokurori kur është pyetur nga gjyqtari për afatin e përfundimit të hapave hetimor.

Në urdhrin e tij, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka kërkuar nga prokuroria që të dorëzojë dosjen sipas rregullës 95 4A të rregullores deri më 19 nëntor 2021.

Guillou: ZPS parashikon dorëzimin e dosjes paraprake deri më 19 nëntor

“ZPS parashikon se do të mund të dorëzojë dosjen paraprake dhe materialet e lidhura me të deri te premten 19 nëntor 2021”, ka thënë ai.

Ndërsa mbrojtja ka deklaruar se presin që të marrin materiale të rëndësishme për çka tha se do të informojmë më shumë në konferencën e radhës mbi ecurinë e çështjes.

Gillisen: Do të marrim materiale të rëndësishme që na japin mundësi të kuptojmë materialet që do të përdoren në gjykim

“Për aftin e ardhshëm për nxjerrjen e materialeve nga ZPS në bazë të rregullës 102 b, është data 30 korrik 2021. Ne mendojmë se do të marrim materiale të rëndësishme të cilat do të na japin neve mundësi të kuptojmë provat dhe materialet që do të përdoren në gjykim. Kështu që ne mendojmë se jam i sigurt që gjërat do të ecin pa asnjë problem, mendojmë që do të jemi në një gjendje më të mirë të ju informojmë ju zoti gjykatës në konferencat e tjera për ecurinë e çështjes”, ka thënë avokati Jean-Louis Gillisen.

Në konferencën e sotme të mbajtur në Hagë, gjykatësi i procedurës paraprake ka urdhëruar mbrojtjen të dorëzojë deri më 12 korrik të këtij viti mocionin paraprake, derisa ka bërë të ditur afatin deri kur prokuroria mund të përgjigjet.

Guillou: Mbrojtja e Shalës të dorëzojë mocionin deri më 12 korrik

“Urdhëroj mbrojtjen e zotri Shalës të dorëzoj mocionin paraprak jo më vonë se data 12 korrik 2021, ZPS-në që t’u përgjigjet jo më vonë se ditës së premte 13 gusht 2021, dhe mbrojtjen që të dorëzojë kundërpërgjigjen jo më vonë se data 30 gusht 2021, ditë e hënë”, ka thënë gjykatësi.

Mbrojtja ka kërkuar që konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjet të mbahet në shtator, për çka palët janë pajtuar.

Gillisen: Konferenca e radhës të mbahet në shtator të këtij viti

“Propozojmë që në shtator të jetë konferenca për ecurinë e çështjes, por te mbahen parasysh afatet dhe elementet të cilat priten nga ne për t’i bërë gjatë kësaj periudhe. Në shtator do të na duhet gjithashtu që të bëjmë të ditur materialet që dëshirojmë që të shohim nga lista e ZPS-së afatin për ta bërë këtë gjë, është 17 shtator 2021. Shtatori do të jetë disi i ngarkuar”, ka thënë mbrojtja.

Në konferencën e stome gjithashtu u bë e ditur nga administrata se për shkak të përmirësimit të situatës me Covid-19, familjarët e të akuzuarve që deri më tani kanë kontaktuar vetëm përmes platformës online zoom, të mund t’i takojnë ata edhe fizikisht nga data 15 korrik.

Shala i cili nuk ishte prezent në sallë e ka përcjellur konferencën përmes video-lidhjes.

Ai u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të këtij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë-arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat