Ministri Mehaj nuk i përgjigjet pyetjeve të Musliut, kjo e fundit kërkon shkarkimin e tij

Aktuale

Ministri Mehaj nuk i përgjigjet pyetjeve të Musliut, kjo e fundit kërkon shkarkimin e tij

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 13:04
Ganimete Musliu, Armend Mehaj

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Kjo kërkesë e deputetes erdhi pasi që ministri Mehaj nuk iu përgjigj në pyetjet që Musliu i parashtroj lidhur me bashkëshortin e presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu i cili u pa me uniformën e FSK në ushtrimet “DefenderEurope21”.

“Çfarë grade ushtarake mbanë bashkëshorti i presidentes? Si rezervist që është ai është i obliguar të marrë pjesë në trajnime, kur është ftuar dhe në sa trajnime ka marrë pjesë? A ka pasur ftesë për pjesëmarrje dhe nëse po nga kush është ftuar? Nëse nuk ka pasur ftesë për pjesëmarrje atëherë në çfarë cilësie ka marrë pjesë? Nëse ka qenë si burrë i presidentes pse e ka veshur uniformen e FSK? Nëse ka marrë pjesë si ushtarak rezervë pse është pozicionuar afër gjeneralit të FSK kur këtë nuk ja lejon grada? A është shkelje e protokollit ushtarak, shkelje e kushtetutës nga Presidentja dhe keqpërdorim i pozitave zyrtare për interesa individuale?” këto ishin pyetjet që deputetja Musliu i parashtroj ministrit Mehaj.

Ministri në përgjigjen e tij tha se “DefenderEurope21”, ka qenë një stërvitje e përbashkët e mbrojtjes shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane.

“Kemi pasur nderin që për herë të parë të jemi nikoqire e kësaj stërvitje. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë 27 shtete dhe mbi 28 mijë ushtarë e oficerë, në mesin e tyre kanë qenë 330 pjesëtarë të FSK-së”, u shpreh Mehaj.

Mehaj theksoi se çdo tentim për zbehjen e këtij suksesi dhe imazhi na dëmton e nuk na bënë nderë

“Nuk do të lëshohem të komentoj gjërat. Komandanti i FSK-së është përgjigj edhe në komision parlamentar për siguri”, u shpreh Mehaj.

Pas kësaj reagoi deputetja Ganimete Musliu, duke kërkuar shkarkimin e Mehajt, pasi që sipas saj ky ministër rrezikon shkatërrimin e imazhit të FSK-së.

“Ju lus juve deputetëve të LVV-së mos na leni neve që urgjentisht të kërkoni shkarkimin e këtij ministri. Ministër që nuk e din se pse është ministër. Ajo çka duhet të bëni ju që ta shpëtoni fytyrën e qeverisë tuaj është të kërkoni shkarkimin e këtij ministri i cili nuk i din kompetencat e veta dhe nuk i përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Një ministër i tillë rrezikon shkatërrimin e imazhit të FSK-së”, tha Musliu.

Në fund fare shkurt i është përgjigjur ministri Mehaj duke thënë se “Nuk jam ministër i FSK-së përmes ligjeve jam Ministër i Mbrojtjes. Mos i komplikoni gjërat”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat