Kush është Vlora Hyseni, që u shkarkua nga pozita e zv/drejtoreshës së AKI-së?

Aktuale

Kush është Vlora Hyseni, që u shkarkua nga pozita e zv/drejtoreshës së AKI-së?

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 16:51
AKI

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë vendim sot për ta shkarkuar sot Vlora Hysenin nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit nuk është bërë e ditur arsyeja e shkarkimit të Vlora Hysenit. Aty vetëm thuhet se zëvendësdrejtoresha e deritashme e AKI-së obligohet që ta bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar dhe t’i ruajë të gjitha informacionet që i ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës.

“Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, thuhet në njoftim.

Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, gjatë periudhës sa institucioni që mbledh dhe shpërndan informacione të rëndësishme për shtetin te kryeministri dhe presidenti kishte mbetur pa drejtor.

Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të këtij viti, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.

Hyseni nga informacionet e pakta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ajo flet disa gjuhë të huaja.

Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Në njoftimin për shkarkimin e Vlora Hysenit, thuhet se ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Presidenca dhe ZKM-ja e kanë paralajmëruar Vlora Hysenin se mosruajtja e informacioneve që ajo i posedon nga puna në AKI, do të mund t’i kushtonte asaj.

“Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhet në njoftim.

Image
Vlora Hyseni
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat