Veç një kandidat për kryetar të PDK-së: Çfarë mund të ndodhë nëse s’ka kandidatura tjera?

Aktuale

Veç një kandidat për kryetar të PDK-së: Çfarë mund të ndodhë nëse s’ka kandidatura tjera?

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 21:08
PDk

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të shtunën do të mbajë Konventën për të zgjedhur kryetarin e kësaj partie. Para dy ditësh deputeti, Memli Krasniqi ka paraqitur kandidaturën e tij për të hyrën në garën për të parin e PDK-së. Deri tani, ende askush tjetër nuk ka paraqitur kandidaturë.

Edhe pse nesër mbaron koha për të paraqitur kandidaturat e mundshme për t’i hyrë kësaj gare të 3 korrikut, aktualisht nuk ka asnjë kandidatë tjetër.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi tha se akoma nuk kanë pranuar asnjë kandidaturë tjetër përveç asaj të Krasniqit.

‘’Përveç kandidaturës së Memli Krasniqit nuk kemi pranuar akoma asnjë kandidaturë. Jemi duke i inkurajuar që sa më parë t’i dërgojnë kandidaturat të interesuarit sepse është edhe në interes të tyre për tu përgatitë për garën e 3 korrikut’’, tha Gjoshi.

Edhe pse kishte interesime të shumta për të kandiduar për të parin e kësaj partie sipas Gjoshit ende nuk ka kandidaturë tjerë dhe se nga kjo situatë nuk mund të paragjykohet se çfarë mund të ndodhë tutje.

‘’Na kemi parë interesim të shumta edhe më herët mirëpo deri sot nuk e ka dorëzuar askush kanidaturën prandaj e kemi të vështirë me paragjyku se çfarë do të ndodhë’’, tha Gjoshi.

Çfarë mund të presim të ndodhë nëse as gjatë ditës së nesërme nuk kemi kandidaturë tjerë për kryetar të PDK-së?

Gjoshi thotë se edhe në këtë rast Konventa do të zhvillohet edhe pse më e mira do të ishte të kishte më shumë kandidatë dhe të kishte një garë.

‘’Edhe me një kandidatë mund ta zhvillojmë procesin zgjedhor edhe pse ne nuk e duam një gjë të tillë sepse është mirë të zhvillohet një garë. Konventa mund të vendos për mënyrën e votimit kur është një kandidatë. Konventa mund të vendos që të votohet edhe me vota të hapura por parimisht të gjitha votimet janë me vota të fshehta’’, tha Gjoshi.

Ai tha se gjithçka është gati për të shtunën që të zhvillohet një Konventë në mënyrën më të mirë të mundshme.

‘’Ne kemi njoftuar delegatët edhe sot do t’iu dërgojmë materialet në formë elektronike, këto materiale do t’i marrin edhe të shtypura në ditën që vijnë dhe gjithçka është gati që të zhvillohet një Konventë e mirë’’, tha Gjoshi.

Kujtojmë se u.d i kryetarit të PDK-së ishte Enver Hoxhaj i cili dha dorëheqje më 24 qershor dhe për të cilin thuhej se sërish do të ishte kandidatë për të parin e kësaj partie mirëpo ende asgjë nuk është e konfirmuar zyrtarisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat