Adriana Matoshi ndihmon gruan me dy vajza për problemin që nuk e zgjidhi për 8 vjet: Ky është veç fillimi

Aktuale

Adriana Matoshi ndihmon gruan me dy vajza për problemin që nuk e zgjidhi për 8 vjet: Ky është veç fillimi

Nga: G.B Më: 6 korrik 2021 Në ora: 13:56
Adriana Matoshi dhe Duda Balje

Deputetja e VV-së, Adriana Matoshi, ka bërë publik rastin e një gruaje shtetase të huaj, e cila bashkë me dy vajzat e saj 10 dhe 6 vjeç, e kanë rifituar lirinë, ku gruaja ishte martuar para 16 vitesh në Kosovë por që kishte pasur vetëm dhunë nga bashkëshorti.

Matoshi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ajo prej 7 vitesh nuk la derë pa trokitur për problemet e saj por që dyert i kishte të mbyllura, ndërsa tani pasi deputetja ishte njoftuar për rastin, bashkë me deputeten Duda Balje e ndihmuan dhe për dy muaj, me ndihmën edhe të Ministrisë së Drejtësisë, bënë që ato të marrin dokumentet e nevojshme për të udhëtuar në vendin e tyre, përcjell Bota sot.

Deputetja ka thënë se biletat për to janë blerë nga deputetët e VV-së, derisa ka thënë se ata që e kanë parë me skepticizëm punën e saj, ky është vetëm fillimi.

“Nuk do të ndalem derisa në vendin tim secili të jetojë i lirë, dhe me të drejta të barabarta si çdo njeri tjetër në botën e civilizuar”, ka shkruar ajo në Facebook.

Postimi i saj i plotë:

Mission completed!

M.T, së bashku me dy vajzat e saja (6 dhe 10 vjeç) sot e rifituan lirinë, e drejtë kjo elementare njerëzore që do të duhej të i takonte çdo njeriu në botë.

Kjo nënë, shtetase e huaj, para 16 viteve u martua në Kosovë, me shpresën që do të nisë një jetë të re të lumtur e plot dashuri, por në vend të saj ajo për 16 vite përjetoi dhe mori nga bashkëshorti vetëm maltretim fizik e psiqik.

Që nga viti 2014 nuk la derë pa trokitur që të ankohet për problemet e saja, po të gjitha dyert i kishte të mbyllura, duke mos gjetur mbështetje as nga të afërmit e burrit, e as nga institucionet përkatëse. Nga frika se nuk do t'i shihte më vajzat, ajo refuzoi të largohej pa vajzat nga Kosova, duke qëndruar kështu plot 16 vite me mall e dhimbje larg familjes e vendlindjes së saj.

E gjitha do të qëndronte ashtu, sikur jo rastësisht shokut tim, A.I. i bie në dorë një video, ku shihet dhuna e shfrenuar e bashkëshortit të saj ndaj njërës prej vajzave të tyre, i cili më lajmëron mua për rastin. Me urgjencë interesohem për këtë familje dhe arrijë të siguroj kontakt. Pas pak edhe takohemi me M.T., ku nën ethe e trauma më rrëfehet për tmerrin të cilin e kishte përjetuar nga bashkëshorti gjatë gjithë këtyre viteve.

I premtoj ndihmë të parezervë dhe instikti i parë më dërgon në komisionin për të drejtat e njeriut, ku deputetja Duda Balje e cila është edhe kryetare e komisionit, njoftohet detajisht me gjithë historinë e kësaj nëne.

Pastaj e njoftojmë edhe Ministrinë e Drejtësisë, ku udhëzohemi prej Nazlie Bala për procedurat e mëtutjeshme.

Në ndërkohë deputetja Balje arriti ta caktoi një takim me ambasadën e shtetit të saj, nga të cilët morëm mirëkuptim dhe mbështetje të plotë për zgjidhjen e këtij problemi. Meqenëse vajzat nuk kishin dokumente të shtetit shtetase e të cilit ishte nëna e tyre, në fillim e pamë të pamundshme largimin e tyre nga Kosova, aty ku ishte vullneti i tyre të shkojnë, por ambasada përkatëse u tregua shumë mirëkuptuese dhe gjithçka përfundoi mirë.

Pas 16 viteve dhunë fizike e psiqike, pas 8 viteve sorollatje nëpër institucione duke kërkuar dëshpërimisht ndihmë, ne na u deshën vetëm 2 muaj përkushtim që kjo katrahurë të përfundojë.

Si nënë që jam, dua ta faleëderoj Ministrinë e Drejtësisë, kolegen Duda Balje, ambasadën e shtetit të saj dhe Edita Dula që gjithmonë i qëndroi afër kësaj nëne në hall.

Një falënderim i veçantë ua dedikoj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që gjithmonë ndihmojnë me të holla kur është nevoja, sikur edhe në rastin e M.T., që mundësuan blerjen e biletave për udhëtim jashtë vendit.

E për ju që e keni pritë me skepticizëm angazhimin tim në politikë dhe keni pyet se çka lypë një aktore në Parlament, ju them që ky është veç fillimi. Nuk do të ndalem derisa në vendin tim secili të jetojë i lirë, dhe me të drejta të barabarta si çdo njeri tjetër në botën e civilizuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat