Arrestimet në Pejë, Istog e Klinë, Prokuroria jep detaje në konferencë për media, kaq zyrtarë janë arrestuar

Aktuale

Arrestimet në Pejë, Istog e Klinë, Prokuroria jep detaje në konferencë për media, kaq zyrtarë janë arrestuar

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 09:35

(E plotësuar 16:07) -  Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj ka dhënë detaje rreth aksionit që kanë zhvilluar sot në komunën e Pejës, Klinës dhe Istogut.

Kurmehaj tha se kanë arrestuar 10 persona, katër prej tyre drejtor të urbanizimit dhe tjerët zyrtarë të lartë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës”.

“Kjo iniciative ka rrjedhe prej meje, pas shqetësimit të qytetarëve për ndërtimet pa leje që janë duke u lejuar në Klinë, Deçan, Pejë, Junik dhe Istog. Unë si kryeprokuror kam caktuar pesë prokurorë që janë marrë me rastin. Kemi bastisur tri komuna, Pejë, Klinë Istog,  10 janë arrestuar, disa prej tyre drejtorë, nën dyshimet se kanë kryer vepër penale keqpërdorim të pozitës zyrtare”, deklaroi ai në një konferencë për media.

Ndërkaq, prokurorja e rastit bëri të ditur se ky është vetëm fillimi, dhe se tashmë kanë siguruar dëshmi për ndërtime pa leje, duke shtuar se në Istog kanë arrestuar katër zyrtarë, në Pejë tre, dy në Klinë, dhe një në Deçan.

 

Ka nisur konferenca e Prokurorisë Themelore të Pejës, pas arrestimeve në Pejë, Istog dhe Klinë.

Image

***

Pas një operacioni nga Njësiti i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Komunën e Klinës pati edhe të arrestuar.

 Ky operacion rezultoi me arrestimin e drejtorit të Urbanizimit në Klinë, Lorenc Marleku.

Po ashtu, u arrestua dhe një zyrtari në kuadër të kësaj drejtorie, Ali Gashi.

Arrestimi i tyre ka të bëjë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme.

***

Njësiti i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog).

Bastisjet po kryhen me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme.

Jashar Blakaj, Rexhep Blakaj dhe Elfete Blakaj janë të arrestuarit në aksionin e sotëm në Istog.

Prokuroria Themelore në Pejë gjatë ditës së sotme do t’i drejtohet opinionit publik me kohë dhe në mënyrë të përshtatshme për rezultatet dhe veprimet e ndërmarra

***

Dy zyrtarë të Komunës së Istogut janë shoqëruar në polici në kuadër të aksionit të sotëm të Prokurorisë lidhur me ndërtimet pa leje.

Prokurori Arben Hoti lidhur me aksionin e sotëm, nuk ka dhënë informacione.

Njëjtë nuk është përgjigjur as zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikqi.

Image
Arrestimi

****

Prokuroria Themelore në Pejë, ka konfirmuar bastisjet që po kryhen në disa komuna në rajonin e  Dukagjinit.

Prokuroria përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme.

Image

 

“Për këto veprime në teren  janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Pejë gjatë ditës së sotme do t’i drejtohet opinionit publik me kohë dhe në mënyrë të përshtatshme për rezultatet dhe veprimet e ndërmarra.

***

Policia bastisje edhe në komunën e Istogut, nënkryetari: Nuk e dimë se për çka bëhet fjalë

Prokuroria Themelore e Pejës dhe Policia e Kosovës po e zhvillojnë një aksion edhe në komunën e Istogut.

Rasti u konfirmua edhe nga nënkryetari i Istogut Agim Ademaj.

Ademaj tha se nuk kanë informacione se për çfarë rasti po bëhet fjalë.

“Po, janë brenda duke i kryer detyrat e veta. Jemi informuar paraprakisht se do të ketë një aksion të tillë”.

“Nuk e di se për çka bëhet fjalë. Nuk na kanë treguar se për çka. Por, së shpejti do të bëhet e ditur kjo”.

Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur një aksion në tre komuna, Pejë, Istog dhe Klinë.

Mësohet se aksioni ka të bëj me ndërtimet pa leje që janë bërë në këto komuna.

***

Prokuroria e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike ka nisur një aksion policor me qëllim të arrestimit të disa zyrtarëve publikë, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aksioni është duke u zhvilluar në Komunën e Pejës.

I arrestuari i parë gjatë këtij aksioni është Bajram Muzlia, inspektor i ndërtimit në Komunën e Pejës.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës futet në Komunën e Istogut

Prokuroria së bashku me Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës ka nisur një aksion në Komunën e Istogut.

Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i kësaj komune, Agim Ademaj

Ai ka thënë se njësia speciale ka hyrë në këtë komunë rreth orës 10:00 dhe se për këtë i kanë informuar paraprakisht.

Ademaj i pyetur se nëse ky hetim po bëhet për shkak të ndonjë keqpërdorimi, është shprehur se nuk ka informacione dhe se policia po kryen punët e saja.

“Po njësia speciale është në komunë dhe është duke i kryer punët e veta. Ata kanë hyrë në komunë rreth orës 10:00. Neve na kanë informuar mëherët për këtë”, ka deklaruar ai.

Njësia speciale e policisë raportohet se po kryen aksione edhe në komunat tjera.

Njësia e Krimeve Ekonomike zbarkon edhe në Komunën e Klinës

Përveç komunës së Pejës, ku kanë nisur arrestimet dhe bastisjet, ky aksion po zhvillohet edhe në Klinë.

Hetuesit e Krimeve Ekonomike kanë zbarkuar edhe në Komunën e Klinës, përkatësisht në Drejtorinë e Urbanizimit

Paralajmërohen bastisje dhe arrestime të këtyre zyrtarëve publik

Burimet brenda Prokurorit të Shtetit, njoftojnë se Prokuroria së bashku me Departamentin Special të Policisë së Kosovës për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, kanë filluar përgatitjet për realizmin e aksionit policor, cak i të cilit do të jenë disa zyrtarë publikë, të përfshirë në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe jo vetëm. 

Ky aksion përfshin bastisje në hapësirat zyrtare të komunës, drejtoritë respektive, si dhe në disa shtëpi e banesa private të personave të dyshuar, për të cilët tashmë është urdhëruar arrestimi dhe ndalimi i tyre.

Prokurori kompetent tashmë ka vënë në dispozicion të policisë një listë të gjerë të provave dhe pajisjeve elektronike, që duhet të jenë subjekt i sekuestrimit me rastin e bastisjeve, prova këto që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme hetimore kundër të dyshuarve.

Këto burime konfirmojnë se fokusi i hetimit të realizuar deri më tani nga Prokurori i Shtetit ka të bëjë me çështje që lidhen me drejtorinë e urbanizimit dhe të inspektimit, me theks të veçantë ka në fokus papërshtatshmërinë ligjore të disa lejeve të ndërtimit, si dhe dështimin e inspektorëve për të penguar ndërtimet në shkelje të ligjit. Mirëpo, ky nuk do të jetë fokusi i vetëm i këtij hetimi, për shkak se tashmë janë dhënë instruksione nga Prokurori i Shtetit edhe për vepra tjera penale dhe persona jashtë institucionit të komunës.

Subjekt i hetimit janë edhe disa operatorë ekonomikë, që operojnë në fushën e ndërtimit, në veçanti nga viti 2018 e këndej.

Në këtë aksion do të marrin pjesë dhjetëra hetues policorë, të asistuar nga Njësia Speciale, ndërsa aksioni do të mbikëqyret drejtpërdrejt nga Prokurori i Shtetit L.V.

Pas përfundimit të aksionit, mësohet se në selinë e Prokurorit të Shtetit në Prishtinë do të ketë edhe konferencë për media, ku do të jepen detaje lidhur me ecurinë e aksionit, historikun e hetimit, numrin e personave të arrestuar, provat e konfiskuara, dëmin e pretenduar si dhe përfitimet e kundërligjshme që dyshohet se janë realizuar nga zyrtarët e përfshirë në hetim.

Media posedon edhe detaje tjera të rëndësishme lidhur me këtë aksion, mirëpo, si çdo herë, për shkak të ndjeshmërisë së hetimit dhe me qëllim që lajmi të mos ketë ndikim negativ në mbarëvajtjen e këtij aksioni, tani për tani nuk do të publikojë më shumë detaje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat